Një adresë e re për Shëndetin Mendor

Një adresë e re për Shëndetin Mendor

Një adresë e re për Shëndetin Mendor

Shkruan Prof. As. Dr. Fitim Uka

A ju ka ndodhur ndonjëherë të dëshpëroheni me veten, të zhgënjeheni shumë nga të tjerët, ta urreni punën, ta humbni besimin dhe shpresën për të ardhmen? Tingëllon e vështirë vetëm po ta imagjinoni e sa e vështirë mund të jetë nëse e përjetoni vërtet?! Asgjë më nuk është e njëjtë. Keni ndjenjën sikur bota po rrotullohet mbrapsht e disa gjëra po ndodhin si për inat tuajin. Askush nuk ju dëgjon, askush nuk ju kupton, askush nuk mund t’ju ndihmojë… të paktën kështu ndiheni ju. Ndiheni të pavlerë. Edhe ajo çfarë sheh në pasqyrë është e tmerrshme… sa shumë ke ndryshuar. Zgjohesh mëngjeseve me dëshirën më të madhe për t’iu kthyer shtratit. Ushqimi që keni përballë nuk shijon. Motivi për punën ka ikur kaherë. Për asgjë më nuk jeni të interesuar si më parë dhe atë që deri dje e keni bërë me shumë kënaqësi më nuk ka kuptim. Mbrëmë ke qarë më shumë se dje… po nesër? Si u bë që vdekja duket e bukur e jeta kaq e shëmtuar? Je lodhur shumë nga vetja, nga të tjerët, nga gjithçka…

Depresion, ankth, çrregullim i stresit post-traumatik, çrregullim disociativ apo çrregullime të personalitetit, janë vetëm disa nga çrregullimet e shëndetit mendor me të cilat jetojnë njerëzit. E gjatë është lista e çrregullimeve të shëndetit mendor që rezultojnë me pengesa dhe vështirësi në të menduar, përcillen me disfunksionalizim të emocioneve dhe i pengojnë e vështirësojnë sjelljet. Por, në rast se ne (unë dhe ti që po e lexon këtë tekst) i plotësojmë kriteret, i kemi shenjat dhe simptomat e çrregullimeve që janë përmendur më lart, i bie se jemi vetëm dy nga 500 milionë njerëz që jetojnë me një nga çrregullimet e shëndetit mendor. Aktualisht, çdo i nënti person në botë përjeton një vështirësi kronike apo çrregullim të shëndetit mendor. Besohet se 322 milionë njerëz apo nga 3.4% deri në 4.4% e popullatës botërore jetojnë me depresion apo ankth, 60 milionë jetojnë me çrregullimin bipolar dhe 21 milionë që jetojnë me psikoza të tjera (Organizata Botërore e Shëndetësisë, 2015, 2018). Ndërkaq, 1% e popullatës botërore e përjeton çrregullimin e përdorimit të substancave. Kështu, dalëngadalë, çrregullimet e ndryshme mendore po bëhen shkaku kryesor i shëndetit të dobët të popullatës globale dhe një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve.

Shkaktarët e çrregullimeve të ndryshme mendore

Por, a e dini cila është arsyeja që mund të ndihemi kështu? Edhe mund të jetë vdekja e një të dashuri, ikja e dikujt që nuk e kemi menduar jetën pa të, përplasja me një nga familjarët, konflikti me mikun apo kolegen e punës, dështimi në arritjen e atij qëllimit të famshëm që i patëm vënë vetes, shkolla apo puna që kërkon shumë, orari dhe detyrat; mund të jetë realiteti, ngjarja, përvoja, kujtimi; mund të jetë ai apo ajo; mund të jenë edhe ata; mund të jenë të gjithë…, por arsyeja kryesore që po ndiheni kështu jemi vetë ne. Jemi ne dhe mënyra se si interpretojmë çdo gjë që ndodh në jetën tonë. Jemi ne dhe mënyra se si e perceptojmë dhe shpjegojmë secilën ngjarje, përvojë a kujtim. Jemi ne dhe mënyra se si mendojmë për atë dhe të tjerët, ajo që na sjell ndjesinë që duket sikur nuk e kontrollojmë dot. Por, kjo nuk duhet të na falë “ndjenjën e të qenit fajtorë”, por duhet të na vetëdijesojë për potencialin e jashtëzakonshëm që kemi për ta ndryshuar dhe kontrolluar gjendjen tonë psikologjike.

Çfarë mund të ndihmoj?

Psikofarmakologjia (trajtimi me medikamente) apo/dhe psikoterapia mund të jenë zgjidhje në përballje me çrregullimet e ndryshme të shëndetit mendor. Por, me gjithë faktin që medikamentet i zbehin ndjeshëm simptomat e depresionit, ato nuk mjaftojnë për të trajtuar dhe tejkaluar plotësisht atë. Po ashtu, intoleranca, varësia nga antidepresantët dhe efikasiteti që ndryshon në varësi të klientëve dhe të tipit të çrregullimit janë disa nga sfidat dhe të metat e tjera që e ndezin dritën e dyshimit për këtë formë të trajtimit si të vetme (Penn dhe Tracy, 2012). Meqenëse, medikamentet mund të jenë ndonjëherë të nevojshme, shpeshherë janë të pamjaftueshme. Prandaj, vjen në shprehje psikoterapia, apo terapia që synon t’i trajtojë çrregullimet e ndryshme mendore përmes fjalëve, të folurit apo komunikimit. Psikoterapia është një shkrirje e përsosur e artit të komunikimit dhe evidencës shkencore të trajtimit të çrregullimeve mendore dhe konsiderohet një formë e përshtatshme e eliminimit apo kontrollit të simptomave që i mundëson personit të funksionojë më mirë dhe ta rritë mirëqenien (Asociacioni i Psikiatërve Amerikanë, 2021). Kështu që, në rast se ndjesitë kanë filluar të duken të errëta, përjetoni ndryshime të humorit, ndiheni sikur nuk mund t’i kontrolloni më situatat atëherë kur rriten emocionet negative, rekomandimi kryesor është: “Vizitoni psikologun!”

Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm

Psikologët zabtojnë rreth 500 qasje të ndryshme në punën e tyre me klientët. Pothuajse 13 vjet më parë kam filluar edhe unërrugëtimin tim në Psikoterapi. Në fillim, priresha të ndiqja qasjet e strukturuara të psikoterapisë dhe pothuajse u fiksova me rregullat e tyre të arta, “të bësh dhe të mos bësh” dhe kufijtë e tyre. Megjithatë, shpesh e ndjeja se klientët nuk po përfitonin dhe përjetoja “pashpresën” e pashmangshme. Kuptova se një qasje e vetme nuk do t’i përshtatet të gjitha sfidave që klientët e mi do të sjellin në sesione. Prandaj, fillova të mbledh njohuritë dhe praktikat më të mira nga këndvështrime të ndryshme, të kombinoj dhe lidh strategji terapeutike dhe ndonjëherë kam pasur guximin të mendoj në mënyrë inovative dhe të aplikoj teknika të reja. Kështu nisi ideja e Psikoterapisë së Kohezionit të Brendshëm. Sot, PBK është një ide e re, është një libër dhe përfaqëson një qasje të re psikoterapeutike. Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm (TKB) është një qasje e re eklektike e cila synon të përfshijë praktikat më të mira nga përspektiva të ndryshme, duke mbajtur njëkohësisht një qasje unike të konceptualizimit të natyrës së psikopatologjive dhe trajtimit të tyre. Për kohë të shkurtër kjo qasje është popullarizuar dhe është e njohur për zbatueshmërinë dhe efektivitetin e saj. Komponentet kyqe të Psikoterapisë së Kohezionit të Brendshëm janë sistemet dhe koha. Sistemet përfshijnë relacione të rëndësishme të individit të cilat janë të ndikuara nga koha (e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja).

Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm ka “lindur” nëUniversitetin e Prishtinës dhe identifikohet me të. Ka rrugëtuar në Shqipëri, Gjermani, Slloveni, Austri, Turqi, Maqedoni, Çeki, Rumani dhe rikthehet për një prezantim ndryshe edhe në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, me 10 tetor, nga ora 16:30 në Bibliotekën Universitare.

Fitim Uka është profesor asistent në departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Pruishtinës. Ai është psikolog dhe psikoterapist. Uka ka fituar titullin master nga Universiteti Ludëig Maximilian (Mynih) dhe PhD në Psikologji nga Universiteti i Freiburg në Gjermani. Ai ka ndjekur studimet e post-doktoratës në Universitetin e Illinois në Çikago, SHBA. Uka ka udhëhequr Qendrën për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore (QHPSM), e cila synon të ofrojë burime të besueshme të hulumtimit për intervenime të bazuara në evidencë dhe aktualisht është drejtor i klinikës multidiciplinare “Empatia” në Prishtinë, ku aplikon Psikoterapinë e Kohezionit të Brendshëm. 

 

LEAVE A COMMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *