Fjalimi i Rektorit me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Të nderuar,
Është kënaqësi e veçantë për mua që në emrin e universitetit t’ju uroj mirëseardhje në këtë sallë të senatit akademik dhe në këtë ditë emblematike ndërkombëtare që shënon gjuhën amtare.
Është po ashtu privilegj që unë sot do te kem mundësinë që të nënshkruaj një marrëveshje domethënëse bashkëpunimi me ministren Nagavci, jo vetëm si dëshmi simbolike e festimit të një dite me peshë për gjuhën dhe pasurinë gjuhësore, por edhe për faktin që mbi këtë marrëveshje, ne do të ndërtojmë një arkitekturë institucionale të veprimit që ka për qëllim të avancojë dhe të fuqizojë dijet albanologjike.
Ka një sërë veprimesh që tashmë janë ndërmarrë për gjuhët e dijet e ndërlidhura, sikurse është rasti me bursat për studentët që vijojnë studimet për ballkanistikë. Dhe kjo e sotmja, e zgjeron veprimin dhe shton kujdesin edhe për gjuhën dhe krijimin shqip.
Nuk ka asnjë kontestim që gjuha është mjeti qendror për ruajtjen e identitetit, por edhe për autenticitetin dhe mbijetesën e një kulture. Gjuhët janë pjesë të qenësishme të botës kulturore dhe intelektuale dhe si të tilla, humbja apo bjerrja e një gjuhe nuk është thjesht bjerrje e një kodi gjuhësor në vetvete dhe për vetvete, por zhdukja e një universi botëkuptimor e kulturor.
Për Humboldtin, gjuha është shprehëse e shpirtit të kombit, pasi nëpërmjet gjuhës mund të mbërrijmë te karakteri kombëtar. “Gjuha e kombit është shpirti i tij dhe shpirti i tij është gjuha e tij” (Humboldti, i cituar në May, 2013, 61). Filozofi gjerman shprehet se në sajë të gjuhës si instrument i zhvillimit të individit, “karakteri i kombit mund të njihet më mirë së brendshmi përmes dokeve, zakoneve dhe veprave. Për këtë arsye popujt që kanë mungesë literature, dhe përdorimet gjuhësore të cilat nuk shkojnë mjaftueshëm thellë, shpesh na duken më të njëtrajtshëm nga sa janë. Ne nuk i njohim tiparet e tyre dalluese, sepse ato nuk na kumtohen përmes mediumit, që do të na lejonte t’i shihnim” (Humboldt 1999, 153).
Sot shumë gjuhë e kultura rrezikohen të humbasin tiparet e tyre dalluese dhe të bjerren si pasojë e trysnisë së vazhdueshme të globalizmit dhe efekteve të tij ndaj gjuhëve e kulturave më të vogla. Gjuhëtari Ken Hale (1992, 1), shprehet se humbja e gjuhëve në këtë epokë është pjesë e një procesi edhe më të gjerë humbjeje të diversitetit kulturor e intelektual, ku gjuhët e kulturat politikisht dominuese i vendosin gjuhët e kulturat lokale indigjene, në situata pragbeteje. Hale e përqas procesin me humbjen e diversitetit biologjik në Tokë. Këtë përplasje mes gjuhëve dhe kulturave, Tove Skutnabb-Kangas (2001) e konsideron si luftë të identitetit, që në thelb, sipas tij është luftë për shfrytëzimin e resurseve natyrore, me pasoja shumë të rënda, pasi sipas tij “dija kulturore, e koduar në diversitetin e gjuhëve të botës, është një parakusht i nevojshëm për mirëmbajtjen e qëndrueshme të burimeve natyrore; gjuhët janë po ashtu një parakusht për transferimin ndërbrezor të asaj dijeje” (203).
Në këtë vijë, Underhill (2009) thekson se situata e diversitetit linguistik është shqetësuese, po të kemi parasysh përllogaritjen se çdo dy javë vdes një gjuhë, e cila është produkt i shekujve të tërë mendimi e ndjenje, çka ngjan me “djegien e një librarie të një kulture, shpesh pa qenë shkruar fare” (ix). Asimilimi kulturor sipas tij bëhet edhe më i rrezikshëm nëse shpërfillet nga institucionet, të cilat qëndrojnë indiferente ndaj diversitetit dhe të verbra ndaj gjithë asaj që kulturat dhe gjuhët kanë për të ofruar.
Prandaj, organizimi i sotëm, në formë e në përmbajtje, ka për qëllim të rishpallë një përcaktim dhe rikonfirmoj një zotim formal e përmbajtjesor për kujdesin institucional ndaj gjuhës dhe diversitetit gjuhësor dhe të gjithë pasurisë që vjen me të.
Ka një seri nismash e aktivitetesh që do të mbështeten nga Ministria e Arsimit. Nga ana jonë, si universitet, ne do të marrim përsipër përgjegjësinë për pjesën tonë, duke ofruar përkrahje në formën e shpërblimit material për punimet e stafit tonë akademik që publikohen në revistat në gjuhën shqipe si “Filologji“ dhe Seminari“ të Fakultetit të Filologjisë dhe revistën “Studimet“ të Akademisë sonë të Shkencave e të Arteve, për të ringritur interesimin dhe fuqizuar cilësinë; pastaj ofrimin e mbështetjes për krijimin e platformave të duhura elektronike për revistat e Fakultetit të Filologjisë, në mënyrë që të përshpejtohet indeksimi i tyre në platformat shkencore ndërkombëtare; si dhe dhënia përparësi në përkrahjen e stafit akademik të UP-së për botimin e librave studimorë të rëndësisë së veçantë ose të teksteve universitare të dedikuara për studentët e departamenteve të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë shqipe.
Ju faleminderit.
Leave a Reply