Fjalimi i rektorit Arben Hajrullahu në Ditën Botërore të Filozofisë
Konferenca e XV Ndërkombëtare „Kanti në 300: Rishqyrtimi i Themeleve të Filozofisë Moderne dhe Iluminizmit” Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës
21 nëntor 2024
Tradicionalisht, si gjithmonë, dëshirojmë t’i nderojmë miqtë së pari; në këtë frymë ju përshëndes të parin juve ambasador Jörn Rohde. Mirë se keni ardhur shkëlqesia juaj!
Të nderuar organizatorë, profesoresha Hasnije Ilazi, dekan Bekim Baliqi, zotëri Ridvan Emini, kryetar i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës!
Të nderuar kolegë e kolege, zonja e zotërinj, miq të dashur!
Më lejoni që, fillimisht, para se t’i them disa fjalë për filozofinë në përgjithësi dhe për filozofinë e Kantit – më të madhit filozof gjerman të lirisë – t’i referohem një filozofi tjetër koreano-gjerman, Byung Chul Han, filozofit sot për sot më interesant dhe më të përkthyer nga gjermanishtja në gjuhë të tjera. Han shkruan diku se „të jesh i lirë do të thotë të jesh mes miqsh”. Ai na rikujton se „,liria’ dhe ,miqësia’ kanë të njëjtën rrënjë në gjuhët indo-evropiane. Në thelb, liria nënkupton një marrëdhënie”. Ne jemi me gjithë zemër mirënjohës që Kosova, 25 vjet më parë, u ndihmua të çlirohet përmes miqve dhe sot jeton mes miqve, e lirë dhe e pavarur. Thelbi i miqësisë është mirënjohja dhe populli i Kosovës është dhe do të jetë përjetësisht mirënjohës!
Të dashur kolegë e miq,
Me thirrje unë nuk jam filozof. Por, pavarësisht kësaj, besoj fuqishëm se filozofia i bën thirrje çdokujt të mendojë dhe veprojë si qenie racionale, morale dhe autonome. Ma thotë mendja se, sot për sot, më shumë se çdo herë tjetër, kemi nevojë të reflektojmë për rendin dhe thelbin e gjërave. Për këtë, jo vetëm që na duhen njerëz që e përdorin arsyen e kulluar publikisht, por edhe njerëz që dinë të dëgjojnë kur duhet të reflektojnë dhe dinë të heshtin kur duhet të mendojnë. Duke qenë se gjithnjë e më shumë bisedat tona po largohen nga „thelbësorja”, ne flasim, flasim shumë, pandërprerë dhe pa menduar. Flasim kështu për politikë, për ekonomi, për arsim, për kulturë, për art e për letërsi. Kësisoj, gjithnjë e më shumë transmetojmë informata, por nuk reflektojmë mbi dije, përflasim persona, por nuk diskutojmë mbi ide. Por Filozofia (me F të madhe, si disiplinë), ma thotë mendja, na thërret që jo vetëm të flasim në mënyrë të arsyeshme, por edhe të heshtim në mënyrë të arsyeshme. Kësisoj, pas çdo diskutimi filozofik, na duhet një heshtje filozofike, them unë. Fundja, thelbi i filozofisë është dialogu, debati, argumenti dhe jo monologu, fuqia dhe autoriteti.
Të dashur kolegë e miq,
Sot jemi mbledhur në Konferencën e XV Ndërkombëtare „Kanti në 300” për të disktuar mendimtarinë e Kantit. Kanti ishte dhe është një filozof i madh i lirisë. Kanti lindi dhe vdiq në Königsberg të Prusisë, një qytet që dikur shtrihej mes Polonisë, Lituanisë dhe Detit Baltik. Königsberg i Prusisë së dikurshme tashmë njihet si Kaliningrad i Rusisë së sotme dhe ky qytet shënjon vijën gjeopolitike ku ballafaqohet „liria” me „barbarinë”. Agresioni i paprecedent rus kundër Ukrainës nuk është vetëm agresion ndaj një vendi specifik, të lirë e demokratik. Është agresion ndaj gjithë nesh, që besojmë te liria. Siç na rikujton Kanti, liria është një e drejtë që i përket çdo qenieje njerëzore. Nëse e thjeshtëzojmë këtë mendim kantian, mund të postulohet kështu: unë jam i lirë për aq sa tjetri është i lirë; ne jemi të lirë për aq sa të tjerët janë të lirë. Liria ime dhe liria e jonë bashkëjeton me lirinë e tjetrit dhe lirinë e tjerëve. Ky postulat nuk vjetërsohet. Është i përbotshëm. Vlen jo vetëm për Ukrainën, por për çdo vend, çdo shoqëri dhe çdo individ që sot nuk është i lirë. Ky postulat vlen jo vetëm për Rusinë, po edhe për Serbinë dhe paqen e paqëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. Serbia nuk mund të jetë e lirë dhe demokratike për aq kohë sa e konteston shtetin e Kosovës, respektivisht për aq kohë sa e konteston vullnetin e lirë dhe autonom të qytetarëve të Kosovës për të qenë të pavarur, të lirë dhe të pandikuar nga Serbia. Ngjashëm, ne nuk mund të jemi të lirë sot as nesër nëse secili individ e komunitet, p.sh. serbët kosovarë, nuk ndihen të lirë.
Për fund, le të kontribuojmë secili e secila prej nesh, që t’i transformojmë dhe përmbysim pasionet luftënxitëse që e zvogëlojnë lirinë tonë në shoqëritë tona këtu në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë. Le të na shërbejë filozofia dhe pedagogjia e Kantit drejt përmbushjes së këtij synimi.
Ju faleminderit!
LEAVE A COMMENT