Fjalimi i rektorit Arben Hajrullahu në Konferencën „Shtrirja, trashëgimia, dokumentimi dhe dënimi i krimeve të kryera në Kosovë” (“The scale, legacy, documentation and adjudication of crimes committed in Kosovo”)
I nderuari kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,
I nderuari drejtor i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi
Të nderuar/a përfaqësues të institucioneve akademike dhe shkencore, të nderuar të pranishëm dhe mysafirë,
sa herë përmenden krimet e luftës, kthehemi një çerek shekulli më parë te ata trupa të pajetë, te ato jetë të këputura në mes, te ata njerëz që lufta i mori me vete e ende nuk kanë një varr, te ato e ata që përjetuan përdhunimin si armë lufte dhe mbijetuan për të treguar ose për të heshtur.
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,
është nder dhe kënaqësi e veçantë të jem pjesë e kësaj konference akademike, e cila trajton një nga temat më thelbësore për kujtesën, drejtësinë dhe pasojat e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, sepse shkenca gjykon saktë, drejt, ftohtë dhe me fakte. Dhe kjo na duhet shumë, fort shumë, për të nxjerrë mësimet e duhura dhe për t’u shkëputur nga e shkuara drejt ecjes përpara.
Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i rëndësishëm akademik në vend, mëton të luajë rol qendror në hulumtimin dhe analizimin e periudhave kritike të historisë sonë. Në këtë drejtim, bashkëpunimi ynë me Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) është i një rëndësie të veçantë. Me marrëveshjen e bashkëpunimit, të nënshkruar mes UP-së dhe IKKL-së, kemi hapur edhe një horizont shtesë për hulumtime të mirëfillta shkencore, si dhe dokumentimin e krimeve të luftës, që përveç tjerash, do të kontribuojnë për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e brezave të rinj për rëndësinë e së vërtetës historike dhe ndërtimin e një paqeje më të qëndrueshme.
Lufta në Kosovë nuk ishte vetëm një betejë për liri, por edhe një moment i rëndësishëm historiko-politik, që la edhe pasoja të mëdha në shoqërinë tonë. Prandaj, është obligim i institucioneve tona akademike që të angazhohen në dokumentimin objektiv të fakteve, ndriçimin e së vërtetës dhe forcimin e narrativës historike, të bazuar në dëshmi dhe analiza shkencore.
Në këtë konferencë, kemi kënaqësinë të mirëpresim dhjetëra studiues nga Kosova dhe nga universitete prestigjioze ndërkombëtare, të cilët do të prezantojnë gjetjet e tyre mbi dokumentimin e krimeve të luftës, proceset e drejtësisë tranzicionale, si dhe pasojat e këtyre krimeve në shoqërinë kosovare. Këto studime do të jenë pjesë e një botimi të rëndësishëm akademik, që do të shërbejë si referencë për studiuesit e fushës, por edhe për politikëbërësit në nivel vendor e ndërkombëtar.
Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, për përkushtimin e tyre në këtë mision të rëndësishëm, si dhe për organizimin e kësaj konference shkencore. Po ashtu, falënderoj studiuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në pasurimin e diskursit shkencor mbi këtë temë kaq të ndjeshme dhe kaq jetike për të ardhmen tonë në veçanti, e për të ardhmen e njerëzimit në përgjithësi.
Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar për të mbështetur këtë proces dhe për të nxitur hulumtime që forcojnë të vërtetën historike, kujtesën kolektive dhe drejtësinë për viktimat e luftës në Kosovë e përtej.
Faleminderit dhe ju uroj një konferencë të suksesshme!
LEAVE A COMMENT