Fjala e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, me rastin e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa për Prof. Hisashi Owada
Shkëlqesia Juaj, Profesor Hisashi Owada,
Shkëlqesia Juaj, Ambasador z. Kiminori Iwama dhe përfaqësues i Ambasadës së Japonisë, z. Hiroyasu Tanigaki,
Shkëlqesia Juaj, Ambasador z. Sabri Kiçmari
Shkëlqesi të pranishëm nga korpusi diplomatik në dhe jashtë Republikës së Kosovës,
Anëtarë të nderuar të Këshillit Drejtues, prorektorë, dekanë, senatorë, profesorë, studentë të Universitetit të Prishtinës,
Zonja dhe zotërinj, të nderuar/a të pranishëm,
Profesor Hisashi Owada mirë se erdhët (Irasshaimase – いらっしゃいませ) nga Nippon, „Toka e lindjes së diellit”, e njohur si Japoni, në tokën e Dardanisë antike, të njohur në kohët tona si Kosovë!
Në traditën dhe kulturën e vendit tonë shtëpia i takon Zotit dhe mysafirit. Andaj, si mysafir në Universitetin e Prishtinës, ndihuni si në shtëpinë tuaj.
Ne sot po shënojmë një moment krenarie për Universitetin e Prishtinës dhe gjithë komunitetin akademik në Republikën e Kosovës dhe përtej.
Jemi mbledhur këtu që të ndajmë njërin nga titujt më prestigjioz që ka Universiteti i Prishtinës, Doctor Honoris Causa, për Profesor Hisashi Owada, një studiues, gjyqtar dhe diplomat me të arritura globale. Profesor Owada nuk është vetëm një profesor i shquar, por edhe një qytetar i vërtetë i botës –– një njeri që mishëron vlerat universale të drejtësisë, dinjitetit, mbrojtjes dhe zhvillimit të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave e dinjitetit njerëzor.
Si një studiues me reflektim të thellë dhe jurist me famë globale, Profesor Owada në mënyrat më kuptimplote ka bashkuar teorinë me praktikën. Profesor Hisashi Owada na dëshmon se parimet dhe siguria ligjore nuk janë ideale abstrakte, por udhërrëfyese për qeverisje më të drejtë, paqe dhe bashkëpunim në nivel global.
Kështu, komuniteti global akademik e ligjor vazhdon të frymëzohet nga puna e Profesor Hisashi Owada. Falë shembullit të tij, të rinj të panumërt në të gjithë botën –– përfshirë studentët tanë –– janë të motivuar të ndjekin drejtësinë dhe t’u përkushtohen studimeve juridike duke mëtuar një botë me më shumë drejtësi, me më shumë parashikueshmëri, me më shumë siguri ligjore e paqe.
Është nder i jashtëzakonshëm për mua, si rektor i Universitetit të Prishtinës, që të mirëpres një figurë të shquar të së drejtës ndërkombëtare, një njeri që e ka vënë dijen, integritetin dhe ndjeshmërinë njerëzore në shërbim të paqes dhe drejtësisë globale siç është Profesor Hisashi Owada.
Shkëlqesia Juaj, Profesor Hisashi Owada, të nderuar të pranishëm, më lejoni që me këtë rast të them ca fjalë për disa nga zhvillimet kyçe të epokës që jetojmë, për të drejtën ndërkombëtare dhe sigurinë njerëzore mes zhvillimeve teknologjike dhe gjeopolitikës.
Parakushte për siguri globale dhe siguri njerëzore janë marrëdhëniet dhe një e drejtë ndërkombëtare të bazuara në rregulla dhe parashikueshmëri. Të gjitha zhvillimet globale në këtë dekadë të tretë të shek XXI na dëshmojnë se rregullat dhe parashikueshmëria e së drejtës ndërkombëtare janë më të cenueshme sesa rrallëherë më parë. Në debate akademike e vendimmarrëse nuk flitet vetëm për një përmbysje të rendit global të bazuar në rregullat e Kombeve të Bashkuara, por edhe për një ndryshim të një sistemi global siç e njeh njerëzimi që nga Paqja e Westfalisë e këndej.
Megjithatë, në përpjekjet njerëzore për zhvillim, paqe e siguri, sikurse edhe më parë, universitetet nuk duhet e nuk mund të qëndrojnë indiferentë kundruall zhvillimeve të kohës.
Në një botë komplekse, në epokën e inteligjencës artificiale dhe të kapaciteteve e mundësive të pakufijshme njerëzore, shkollat e mendimeve tradicionale të Realizmit – Liberalizmit – Konstruktivizmit nuk mjaftojnë për të shpjeguar dhe parashikuar zhvillimet në fushën e së drejtës dhe sigurisë ndërkombëtare, e me këtë edhe fatit dhe së ardhmes së drejtëpërdrejtë apo tërthortë edhe të vetë shteteve dhe njerëzve në këtë planet.
Pavarësisht çështjeve më të diskutueshme të së drejtës ndërkombëtare moderne, para së gjithash si ato mbi kuptimin dhe vlefshmërinë e konceptit të ,,vetëvendosjes” dhe ,,integritetit territorial të shteteve”, për mendimin tim, pyetja thelbësore vazhdon të jetë: ,,pse shteti / why the nation state”?
Në momentet e kohërave të zhvillimeve të mëdha sikurse këto që përjetojmë ne sot, p.sh. kur Karta e OKB-së dhe parimi i mosndërhyrjes shpërfaqen të jenë opsionale, për të mos thënë parime plotësisht të dala prej përdorimi, pyetja thelbësore se cili duhet të jetë prioriteti dhe kush është në funksion të kujt –– shteti për njerëzit apo njerëzit për shtetin? –– bëhet edhe më kruciale.
Në këtë mes dhe pyetje aspak të thjeshtë, institucionet si GJND-ja (ICJ) shpesh kanë demonstruar që trajtojnë çështje tërësisht politike me ndjenjë të madhe të përgjegjësisë dhe sensit racional juridik. Në këtë frymë Opinioni i GJND-së i vitit 2010, që konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, ishte dhe mbetet një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës. Ai rikonfirmoi të vërtetën e popullit të Kosovës se liria, pavarësia, demokracia nuk ishin vetëm zgjedhje politike, por edhe një monument etik, që do të mbetet thellësisht i skalitur në kujtesën historike përderisa ne sot kujtojmë vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë: barazinë, qytetarinë, gjithëpërfshirjen dhe paqen.
Si rektor i Universitetit të Prishtinës, por edhe si qytetar i këtij vendi, më lejoni të theksoj se edhe personalisht përherë kam qenë i përkushtuar për ndërtimin e paqes së qëndrueshme mes njerëzve dhe popujve tonë në Ballkanin Perëndimor e përtej.
Jam i bindur thellësisht që paqja e qëndrueshme nuk është vetëm mungesë e dhunës, por pranim i tjetrit si bashkëqytetar i barabartë në një bashkësi politike demokratike. Ky është ideali i shtetit qytetar, të cilin e aspirojmë dhe për të cilin punojmë pareshtur me ndershmëri, guxim moral e intelektual, këtu dhe gjithkund.
Megjithatë, në vorbullin e përpjekjeve njerëzore Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (United Nations Sustainable Development Goals) si dhe siguria njerëzore (Human Security) vazhdojnë në shumë raste të ngelin vetëm ide të bukura, ngjashëm ashtu siç ishin ide të bukura edhe ato të Immanuel Kant për paqen e përjetshme (perpetual peace) 230 vjet më parë.
I nderuar Profesor Hisashi Owada, të nderuar të pranishëm, më lejoni të konkludoj se Kosova dhe Japonia ndajnë një admirim dhe respekt të thellë të ndërsjellë. Populli japonez vlerësohet në Kosovë për qëndrueshmërinë e tij të jashtëzakonshme, përkushtimin ndaj traditës dhe lidershipin e tij në inovacion.
Miqësia midis Kosovës dhe Nippon është një urë e ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë, vlerësimin kulturor dhe një angazhim të përbashkët për paqe dhe dije.
Profesor Hisashi Owada, duke pranuar këtë titull nderi, ju jeni bërë pjesë e përhershme e trashëgimisë sonë akademike. Edhe pse asnjëri prej nesh nuk është i përjetshëm, ndikimi juaj në arsim, drejtësi dhe diplomaci do të zgjasë për breza.
Ne ju falënderojmë për integritetin dhe kontributin tuaj. Jeni dhe do të mbeteni pjesë e tregimit të një vendi të vogël me një shpirt të madh dhe mirënjohje të thellë. Me këtë titull që sot e pranoni nga Universiteti i Prishtinës, ju bëheni jo vetëm mik i kësaj hapësire akademike, por edhe një figurë e skalitur në kujtesën historike të një kombi që ka ditur të qëndrojë drejt edhe atëherë kur drejtësia ka munguar.
Faleminderit për praninë tuaj në Universitetin e Prishtinës dhe në Republikën e Kosovës. Faleminderit që jeni këtu sot me ne, na keni nderuar thellësisht dhe ju uroj mirëseardhje të përhershme në Universitetin e Prishtinës – shtëpinë tuaj të dytë.
LEAVE A COMMENT