Fjala përshëndetëse e rektorit, prof. Arben Hajrullahu për studentët e rinj në ditën e nisjes së vitit akademik 2025/’26 

Fjala përshëndetëse e rektorit, prof. Arben Hajrullahu për studentët e rinj në ditën e nisjes së vitit akademik 2025/’26 

Të dashur studentë e studente që po filloni rrugën akademike, 

dita e sotme është shumë e veçantë, një ditë që do ta mbani gjatë e përjetësisht në kujtesë. Prej sot ju nuk do të jeni vetëm pjesë e një niveli më të lartë të formësimit akademik, por do ta keni edhe një emër tjetër: do të quheni studentë, e ardhme e vendit. 

Duhet të jeni krenarë që me punën dhe rezultatet tuaja arritët të bëheni studentë të Universitetit të Prishtinës, institucionit të arsimit të lartë më të vjetër, më të madh e më të suksesshëm në Kosovë që është i renditur më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në Ballkanin Perëndimor dhe me këtë edhe në botë. Por, bashkë me krenarinë vjen edhe përgjegjësia, pasioni e përkushtimi.

Të nderuar studentë e studente, 

Ju keni arritur deri këtu sepse jeni më premtuesit, ndër më të mirët e më të mirëve. Prandaj mbajini lart e mbi gjithçka ambiciet e qëllimet tuaja, sepse vetëm kështu do të mund të shkoni edhe përtej caqeve se ku synoni. Nuk ju them që gjithçka tash e tutje të jetë vetëm punë dhe angazhim. Po, gjithsesi punoni fort, por edhe shijojeni moshën studentore — periudhën më të bukur të jetës. 

Do të keni sfida, ndoshta net pa gjumë, përpjekje të lodhshme, ndonjëherë mund t’u duket se nuk jeni të prerë për profesionin që keni zgjedhur, por të gjitha këto janë zhvillime të zakonshme. Ne, duke filluar nga unë, rektori, pastaj prorektorët dhe të gjithë profesorët, do të jemi me ju gjatë gjithë rrugës suaj studentore, për t’ua bërë atë më të lehtë duke ndarë me ju edhe dijet dhe përvojat tona. 

Nga Universiteti i Prishtinës ju duhet të dilni të pajisur me dijet që do t’u duhen për të përballuar një botë e treg të punës që po ndryshon përditë nga zhvillimi i hovshëm teknologjik, si p.sh. i inteligjencës artificiale. Universiteti i Prishtinës është një institucion që ofron dije bashkëkohore, qëndron denjësisht në garë me universitetet tjera në rajon e botë dhe hap horizonte të reja për karrierën dhe studimet e mëtejme kudo në glob.

Me përkushtim, profesionalizëm dhe traditë akademike, UP-ja është shtëpia juaj e dijes, vendi ku ëndrrat e së ardhmes marrin formë dhe ku çdo hap i juaji ju afron me suksesin personal dhe profesional.

Studime dhe vit të mbarë akademik! 

Rektori i Universitetit të Prishtinës, 

prof. Arben Hajrullahu.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *