Fjalimi i rektorit, prof. Arben Hajrullahu, në Kongresin e Parë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë,
I nderuar profesor Rifat Latifi,
të nderuar kirurgë nga të gjitha viset shqiptare dhe pjesët tjera të globit,
të nderuar kirurgë të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës,
të nderuar profesorë e të pranishëm, zonja e zotërinj,
ndihem shumë i lumtur dhe me fat që ndodhem në mesin tuaj, në nisje të një ngjarjeje shumë të rëndësishme për kirurgjinë e të gjitha trevave të banuara me shqiptarë në Ballkanin Perëndimor — Kongresit të Parë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë.
Kështu ndodh kur bashkëpunon ngushtë me kirurgun e mirënjohur, profesorin e nderuar, Rifat Latifi, që ka gjithë atë energji dhe gjithë atë dije për ta ndarë me të tjerët. Duke qenë të rrethuar nga gjithë këta mjekë, mund të them se ne duhet të ndihemi në duar të sigurta.
Sot duke u mbledhur këtu për punët e mira që do të bëhen e do të vijojnë në të ardhmen, diagnozat e poetit tonë të madh, Gjergj Fishta, mbase mund t’i vëmë në pikëpyetje. Fishta në një çast dëshpërimi me popullin e tij, kishte thënë: „Ma kollaj është me mbushun një thes pleshta, sesa me i ba bashkë dy shqiptarë”. Ne në këtë sallë jemi shumë më shumë se dy persona dhe të gjithë kemi ardhur me vullnet të lirë për ta çuar përpara kirurgjinë dhe shëndetësinë.
Të nderuar të pranishëm, të nderuar kirurgë e mjekë që jetoni e punoni nëpër qendra shëndetësore jashtë vendit,
Senati i Universitetit të Prishtinës më 30 prill 2025 miratoi Rregulloren për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, me qëllimin e afrimit në UP të profesionistëve të të gjitha fushave nga diaspora akademike për një mësimdhënie e kërkim shkencor gjithnjë e më të përparuar dhe në pajtim me zhvillimet e kohës në të cilën po jetojmë.
Tashmë është hapur konkursi i parë për emërimin e një profesori në bazë të kësaj rregulloreje në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe besoj fuqishëm se do të ketë edhe konkurse tjera të tilla.
Nëse keni kryer ndonjë nivel shkollimi ose punoni në 400 universitetet më të mira të globit, sipas renditjeve në platformat “Times Higher Education“ ose “QS World University Rankings” ose punoni në institucione shëndetësore të njohura ndërkombëtare, universiteti që drejtoj ju mirëpret krahëhapur. E di që asnjëherë nuk ju ka munguar vullneti dhe dëshira për ta ndihmuar vendlindjen tuaj ose të prindërve tuaj. Nuk keni nevojë as të jeni fizikisht këtu gjatë gjithë kohës. Teknologjia e sotme e mundëson thuajse njësoj si mësimdhënien me prani fizike, edhe atë në distancë.
Të nderuar kirurgë e mjekë nga hapësirat shqiptare dhe jashtë tyre, të nderuar të pranishëm,
sot nuk do të nisë vetëm Kongresi i Parë Klinik i Kirurgëve Shqiptarë, por gjithashtu do të fillojë rrugëtimin edhe projekti i përbashkët i Universitetit të Prishtinës dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës — Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara e Kosovës në Universitetin e Prishtinës. Prandaj e kemi zgjedhur këtë ngjarje të rëndësishme për ta nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për të marrë edhe miratimin dhe sugjerimet tuaja për zhvillimin e kësaj qendre.
Qendra që do të ndërtojmë së bashku me Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës synon të jetë lidere e kirurgjisë moderne në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, pasi sot në kohën e zhvillimit të hovshëm teknologjik dhe inteligjencës artificiale, institucionet e ndryshme mund të jenë të vendosura në një hapësirë të caktuar gjeografike, por idetë, ofrimi i shërbimeve dhe konkurrenca mes tyre është globale.
Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara do të ofrojë bashkëpunim kombëtar e ndërkombëtar akademik e shkencor, kërkime, publikime e inovacione klinike, edukim, trajnim dhe kirurgji të avancuar me qëllimin fisnik për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në Kosovë e rajon.
Të nderuar kirurgë nga vendi, viset shqiptare dhe bota,
nganjëherë duhet të ndodhë një e keqe shumë e madhe, për të parë heronjtë e përditshëm që i kemi në mesin tonë. Duhej të na mbyllte nëpër shtëpi dhe të na rrezikonte seriozisht pandemia e covidit për ta parë në praktikë sesa të nevojshëm dhe të domosdoshëm janë të gjithë njerëzit me mantel të bardhë.
Ne i kemi në kujtesë ato ditë dhe ato pamje kur mjekët edhe të stërlodhur, ndonjëherë edhe duke dremitur në këmbë ose në qoshe sallash, vazhdonin të ishin 24 orë dhe shtatë ditë në javë në krye të detyrës me misionin e shpëtimit të sa më shumë jetëve. I mbajmë mend edhe duartrokitjet e qytetarëve kudo nëpër botë drejtuar mjekëve në atë kohë për t’i motivuar që ta vazhdojnë punën. Sikur të mos ishte personeli mjekësor dhe hulumtuesit shkencorë që zbuluan vaksinat, pasojat për njerëzimin do të ishin shumë më të mëdha.
Skalpelin ose bisturinë nuk mund ta mbajë gjithkush. Duhet guxim, duhet zemër e madhe, duhet gjakftohtësi, duar që nuk dridhen dhe dashuri e jashtëzakonshme për njeriun dhe njerëzimin. Por ndjenjën e mrekullueshme të shpëtimit të një jete dhe shumë jetëve, mund ta ndieni vetëm ju dhe ne të tjerët vetëm mund ta imagjinojmë. Tekonologjia tash e në të ardhmen do t’u ndihmojë e së shpejti mund të keni asistentë robotikë, por gjithnjë do të jeni ju që do ta komandoni makinerinë, për shëndetin e njerëzimit.
Suksese, Ju priftë e na priftë e mbara në kongres dhe punët e ardhshme që na presin!
LEAVE A COMMENT