Fjalimi i rektorit Arben Hajrullahu në hapje të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Të nderuar krerë të institucioneve shtetërore e kulturore të Kosovës, Shqipërisë dhe viseve tjera të banuara nga shqiptarët,
të nderuar albanologë, njohës, studiues, studentë e dashamirës të gjuhës e letërsisë shqipe dhe kulturës shqiptare,
të nderuar pjesëtarë të diasporës sonë, të shpërndarë në të katër anët e globit,
të nderuar organizatorë të seminarit, kolegë nga Universiteti i Prishtinës, zonja e zotërinj, të nderuar të pranishëm,
jemi mbledhur këtu në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, në këtë ditë gushti me diell, për ta nisur Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare për të 43-ën herë.
Sa herë flasim për këtë gjuhë e kulturë dhe historinë e tyre na del përpara rruga e gjatë dhe e vështirë, plot pengesa e ndalesa, me të cilën u përballën shqipja dhe shqiptarët gjatë shekujve. Na kujtohet, mes tjerësh, Theodor Haxhifilipi, i njohur në popull me emrin Dhaskal Todri, që në kohën kur jetoi mes shekujve XVIII dhe XIX, kur shqipja ishte e ndaluar të shkruhej, solli arkat me shkronja në Elbasan, në përpjekje për të publikuar në shqip librat fetarë ortodoksë. U vra gjatë rrugës, pa arritur ta çojë deri në fund planin dhe dëshirën e tij.
Edhe Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që ka tejkaluar tashmë gjysmë shekulli ekzistimi, nuk mundi të organizohej secilin vit, ashtu siç ishte paraparë. Gjatë viteve ’90 kur regjimi i Millosheviqit aplikoi aparteidin në Kosovë, duke larguar nxënësit e studentët nga objektet shkollore, seminari u ndërpre për disa vite, pastaj në vitet 1995 e 1996 u zhvendos në Tiranë, për t’u rikthyer në Prishtinë menjëherë pas çlirimit të Kosovës në 1999-ën.
Por kohët e errëta kanë mbetur prapa dhe gjuha, letërsia e kultura shqiptare sot janë më të forta se kurrë më parë. Dëshmi jemi ne dhe ju, që jemi mbledhur në këtë ditë solemne e festive, në një Kosovë që frymon lirshëm e dinjitetshëm.
Të nderuar albanologë, dashamirës të shqipes dhe studentë që doni ta mësoni këtë gjuhë,
Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u rrit dhe u zhvillua bashkë me Universitetin e Prishtinës. Është ngjarja më jetëgjatë e studimeve albanologjike në trevat shqiptare dhe përtej. Gjatë dy javëve në vijim, do të zhvillohen ligjërata, referime, prezantime individuale dhe diskutime, si dhe janë paraparë 34 orë mësimi të gjuhës shqipe, në tri nivele.
Sivjet, për herë të parë do të hidhet dritë edhe në studimet feministe shqiptare dhe do të trajtohet shqipja e përdorur nëpër rrjete sociale.
Ngjarja e rëndësishme, përveç anës profesionale e shkencore, e ka edhe dimensionin e njohjeve mes njerëzve, shkëmbimeve kulturore dhe projekteve të përbashkëta.
Seminari gjithnjë ka tentuar dhe ia ka dalë aq sa ka mundur ta rifreskojë me njohuri kulturore e gjuhësore dhe ta nxisë të ruajë rrënjët, diasporën historike shqiptare, sidomos arbëreshët e Italisë, ata të Zarës dhe shqiptarët që jetojnë në Siri.
Të nderuar albanologë, studiues dhe studentë të shqipes, të nderuar pjesëmarrës që vini në seminar për herë të parë,
mund të keni arsye të ndryshme dhe të shumta për t’u marrë me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, por më lejoni t’ua përmend disa prej tyre, të cilat natyrisht edhe mund t’i dini: Gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra evropiane dhe e vetmja, krahas huazimeve dhe ndërveprimeve, e pangjashme me gjuhët e popujve përreth.
Këtë gjuhë e ka pasur gjuhë amtare shenjtorja e njerëzimit dhe mbrojtësja globale e të varfërve, të sëmurëve dhe të pafuqishmëve, Nëna Terezë. Shqip ka folur edhe heroi mesjetar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, që me fitoret e tij të njëpasnjëshme nëpër beteja për 25 vjet me radhë, e ndali perandorinë më të fuqishme të kohës, duke e mbrojtur edhe Evropën nga kërcënimi që i vinte prej Perandorisë Osmane.
Shqipja është edhe gjuha letrare dhe kombëtare e shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe këngëtareve të njohura si Rita Ora, Dua Lipa e shumë të tjerëve.
Tash së voni në Ulpiana Secunda, lokalitetin antik të ndërtuar nga perandori dardan i Romës, Justiniani, te kisha më e madhe e zbuluar deri tash në Ballkan, doli në dritë edhe mbishkrimi i dytë — dedikimi që perandori i madh dhe gruaja e tij Teodora e ndërtuan këtë kishë. Dy mbishkrimet, të cilat mund t’i shihni gjatë qëndrimit në Kosovë, janë të vetmet që janë gjetur e kanë mbetur nga perandori Justinian në vendlindjen e tij, edhe pse ai udhëhoqi tërë botën romake.
Të nderuar pjesëmarrës të seminarit,
Ju keni fatin e mirë që përveçse do të shtoni njohuritë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, do të shihni nga afër njerëzit dhe vendet ku flitet kjo gjuhë e shfaqet kjo kulturë. Përvoja juaj do të jetë e plotë pas vizitave të vlerave kulturore, artistike, historike e natyrore, të krijuara e të ruajtura nëpër shekuj.
Kosova dhe vendet tjera të banuara nga shqiptarët shumë lehtë mund t’ju bëjnë për vete. Ndoshta mjafton vetëm kjo vizitë që ju të lidheni me këto vende e këtë popull përgjithmonë. Dëshiroj nga zemra që kështu të ndodhë, që të ktheheni e riktheheni çdo vit. Universiteti i Prishtinës, që gjithashtu gjatë verës organizon edhe Universitetin Ndërkombëtar Veror, do të jetë gjithnjë i hapur për ju.
Duke shpresuar që nuk po kërkoj shumë, juve ju mbetet që ngjashëm sikurse Dhaskal Todri, që solli arkat me shkronja për të shkruar shqipen, ta bartni përvojën, përshtypjet dhe dashurinë tuaj për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare te vendet prej nga vini, në mënyrë që viteve të ardhshme të sillni në Prishtinë edhe miqtë tuaj.
Faleminderit që na keni nderuar me ardhjen këtu. Na priftë e mbara! Punime dhe zhvillim të suksesshëm të seminarit! Qëndrim të këndshëm në Kosovë dhe ambientet e Universitetit të Prishtinës!
LEAVE A COMMENT