Fjalimi i rektorit Arben Hajrullahu në 56-vjetorin e Universitetit të Prishtinës

Fjalimi i rektorit Arben Hajrullahu në 56-vjetorin e Universitetit të Prishtinës

I nderuar zëvendsministër i arsimit z. Arsim Ademi,

I nderuar nënkryetar i Akedemisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës akademik Fejzullah Krasniqi,

të nderuar ambasadorë, partnerë, miq e donatorë të UP-së,

të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues, dekanë, profesorë e studentë,

zonja e zotërinj, të nderuar të pranishëm,

përvjetorët e mëdhenj dhe të rëndësishëm, si ky i UP-së, i 56 me radhë, janë momente solemne që kalohen me nderime, krenari e reflektime për të kaluarën dhe synimet për të ardhmen.  Që nga themelimi i tij, në Universitetin e Prishtinës asgjë nuk ishte e thjeshtë dhe asgjë nuk ishte për t’u marrë si e mirëqenë.  Ky universitet, i krijuar nga fuqia e popullit që e përjetëson, arriti të mbijetojë periudha tepër të vështira: diskriminimin e vazhdueshëm të popullit shumicë, aparteidin dhe dëbimin nga objektet universitare gjatë viteve ’90, rezistencën civile dhe atë të armatosur.  Universiteti i Prishtinës asnjëherë nuk u thye, asnjëherë nuk u ndal, gjithnjë e vazhdoi rrugën përpara, si një fanar, krah për krah me fatin dhe synimet e njerëzve të kësaj toke, për një të ardhme më të zhvilluar, më të ndritur, e më paqësore.

Të jesh në krye të një institucioni si Universiteti i Prishtinës është përgjegjësi e madhe dhe nder i papërsëritshëm, unik në jetë.  Nga populli i Kosovës dhe jo vetëm, Universiteti i Prishtinës gjithnjë u pa dhe u përfytyrua më shumë sesa vetëm një universitet.  Universiteti i Prishtinës gjithnjë u pa e vazhdon të shihet si shpresë për zhvillim e për një të ardhme, për kohë më të mira.  Prandaj njerëzit e Kosovës iu bënë vend nëpër shtëpi studentëve dhe profesorëve të UP-së, kur ata u dëbuan dhunshëm nga objektet e tyre dhe ishin të gatshëm ta mbronin universitetin edhe me jetë.  Pra, Universiteti i Prishtinës është kujtesë, histori, historia më e ndritshme e Kosovës, është krenaria dhe e ardhmja e njerëzve të kësaj toke njëkohësisht.

Të nderuar të pranishëm, mysafirë, profesorë e studentë,

shumë të pranishëm në këtë kremte sot, këtu, po edhe më shumë jashtë kësaj ngjarjeje, kudo nëpër Kosovë e përtej, shkollimin e lartë e kanë kryer në Universitetin e Prishtinës. Shumë prej tyre këtu e kanë zhvilluar ose e zhvillojnë edhe karrierën, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor, pra kanë përvoja personale të lidhura me universitetin.

Historia, ngjarjet dhe zhvillimi i pesë-gjashtë dekadave të fundit në Kosovë nuk mund të kuptohen, po as të paramendohen pa UP-në.  Studentët dhe profesorët e universitetit numër një të vendit e përtej, iu prinë të gjitha proceseve komplekse drejt lirisë, çlirimit e shtetndërtimit.  Prandaj, pritjet nga Universiteti i Prishtinës ishin dhe vazhdojnë të jenë shumë të mëdha.  Kështu,  puna për të mirën e përgjithshme për Universitetin e Prishtinës e nga Universiteti i Prishtinës nuk duhet të ndalet kurrë.

Të nderuar partnerë, donatorë, ambasadorë e krerë të shtetit,

me gjithë këtë trashëgimi, histori, prani të fuqishme e rezultate konkrete, UP-ja është orientuar tërësisht drejt kohës në të cilën po jetojmë dhe drejt së ardhmes.  Ne në Universitetin e Prishtinës kujtojmë me respekt e krenari të kaluarën dhe përpiqemi e punojmë fort për të formësuar të tashmen dhe të ardhmen.  Kështu, për shembull, së voni kemi themeluar Qendrën për Inteligjencë Artificiale në Universitetin e Prishtinës, që studentët të përgatiten për të shfrytëzuar në maksimum zhvillimet e hovshme teknologjike që po ndodhin në vazhdimësi, në një treg të punës gjithnjë në ndryshim e lëvizje.  

Universiteti i Prishtinës e ka edhe një plan të detajuar të transformimit digjital, të hartuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), zbatimin e të cilit nuk mund ta përballojë i vetëm financiarisht, por do të mund ta bënte lehtësisht realitet me ndihmën e miqve dhe dashamirëve të këtij universiteti e vendi.  Pra, më lejoni të apeloj edhe publikisht, na dilni krah, na ndihmoni edhe ju që ne të mund ta zëmë hapin me zhvillimet e shpejta e marramendëse në kohën që jetojmë.

Ne në Universitetin e Prishtinës kemi nisur gjithashtu jetësimin në praktikë të idesë së „kthimit dhe qarkullimit të trurit” (“brain gain and brain circulatiuon”), lidhjes edhe më UP-në të profesionistëve dhe profesorëve nga diaspora akademike, që punojnë ose kanë përfunduar studimet e tyre në 400 universitetet më të njohura të globit.  Muajve të fundit janë asociuar në e me Universitetin e Prishtinës profesori i Universitetit të Qytetit të Dublinit dhe bashkëpunëtori kërkimor i Universitetit të Oksfordit, prof. Gëzim Visoka, mjeku dhe profesori i Universitetit Shtetëror të Ohajos, prof. Dukagjin Blakaj, mjeku farmacist e profesori i King’s College London, Driton Vllasaliu, si dhe profesori në Virginia Tech në ShBA, Besnik Pula.  Në shtëpinë tonë të përbashkët, Universitetin e Prishtinës, dera është e hapur për të gjithë profesorët e ekspertë e interesuar që të na bashkohen në misionin tonë.

Asnjë universitet nuk mund më të mbijetojë e të ofrojë dije cilësore i vetëm.  Prandaj në Universitetin e Prishtinës i kushtohet rëndësi e veçantë ndërkombëtarizimit.  Vetëm gjatë vitit 2025, 232 studentë dhe 104 pjesëtarë të personelit akademik e administrativ të UP-së provuan mësimin, mësimdhënien dhe trajnimet e ndryshme nëpër institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit, ndërsa në UP për fuqizim të dijes erdhën 125 studentë nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës, bashkë me 101 profesorë vizitorë e ligjërues.

Viti i kaluar ishte edhe vit i përvjetorëve të ndryshëm, i përzierjes së krenarisë me nostalgjinë dhe dëshmive për punën e kryer.  Festuam, përveç 55-vjetorit të UP-së, edhe 65-vjetorin e Fakultetit Filozofik, 58-vjetorin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, 50-vjetorin e Degës së Stomatologjisë brenda Fakultetit të Mjekësisë dhe gjysmë shekulli jetë të Departamentit të Muzikës në Fakultetin e Arteve.

Në këtë frymë, për të parën herë, ne në Universitetin e Prishtinës kemi normuar procedurat dhe kriteret për titujt e nderit, çmimet e mirënjohjet.  Dua të falënderoj publikisht trupat gjegjëse në krye me prorektoren prof. Rozafa Basha, për punën e vyer që po e bëjnë për të propozuar veprime mirënjohjeje e kujtimi për personalitetet, si për rektorin Ejup Statovci e profesorin e UP-së, akademik Eshref Ademaj.  Përtej kësaj, ne shpresojmë e presim të nderojmë edhe shumë personalitete meritore në të ardhmen, me titujt „Anëtar Nderi i Universitetit”, si titullin e nderit për ekselencë dhe arritje të jashtëzakonshme „Chlamys Dardanica”; titullin „Ambasador i Universitetit të Prishtinës”; për „Ekselencë në Mësimdhënie”; „Hulumtues të Ri Ekselent”; ose për „Ekselencë në Shërbimin Administrativ”. 

Të nderuara zonja e zotërinj, të nderuar miq të UP-së,

të gjitha këto aktivitete të përbashkëta, të brendshme dhe ndërkombëtare, natyrisht që sjellin edhe rezultate, suksese, shpresë për të ardhmen, e rritje të ndikimit.  Vitin e kaluar, UP-ja nderoi me titullin „Honoris Causa” diplomatin, gjykatësin e profesorin japonez me përmasa globale, z. Hisashi Owada. Në ligjëratën e tij shumë kuptimplotë, në fakt mbresëlënëse, të titulluar: „Pse Luftë: Një Reflektim mbi Rendin Publik të Bashkësisë Ndërkombëtare”, z. Owada konkludoi se „ajo që është arritur në Kosovë mund të vlerësohet më shumë si një fitore njerëzore sesa një fitore mes kombeve”.

Në vazhdën e përpjekjeve për të qenë bartës kyç drejt fitoreve e arritjeve të reja, Universiteti i Prishtinës, në nëntor të 2025-ës, në King’s College London, nënshkroi Magna Charta Universitatum 2020 (MCU2020), duke riafirmuar në mënyrë solemne përkushtimin e tij ndaj vlerave themelore të arsimit të lartë.

Një profesor i UP-së, Arbnor Pajaziti, e patentoi shpikjen e tij, ventilatorin mekanik, pajisje që lidh mekatronikën me mjekësinë dhe industrinë, të ndërtuar së bashku me studentin e tij Petrit Abdyli. Profesori tjetër, Bajram Berisha, për herë të dytë radhazi, hyri në mesin e 100 shkencëtarëve më të mirë në fushën e tij në Evropë, ndërsa studentët e Fakultetit Juridik zunë vendin e gjashtë në botë në garën ndërkombëtare „Nuremberg Moot Court 2025”. Edhe studentët tjerë të Universitetit të Prishtinës po vazhdojnë të arrijnë suksese të jashtëzakonshme gjithandej nëpër botë.  

Të nderuar të pranishëm,

në përvjetorë nuk ka moment më të mirë për ta përmbyllur një fjalë rasti sesa pas përmendjes dhe renditjes së disa prej sukseseve.  Ato janë treguesi më i mirë se Universiteti i Prishtinës, përtej të gjitha sfidave, ngadalë, po sigurt, po ia del ta kryejë misionin e tij të edukimit, kërkimit shkencor, e para së gjithash, aftësimit dhe forcimit të kapaciteteve për ide të reja e reflektime të bazuara në racionalitetin e postulateve shkencore.

Ne të gjithë jemi kalimtarë, Universiteti i Prishtinës qoftë i përjetshëm!

Na priftë e ju priftë e mbara!

UP, gëzuar 56-vjetorin!

Speech by Rector Arben Hajrullahu on the 56th Anniversary of the University of Prishtina

LEAVE A COMMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *