Më në fund lëvizje e lirë. Një e drejtë e vonuar për Kosovën
Migrimi – një dukuri e kamotshme
Migrimi është dukuri e vjetër sa vetë njerëzimi. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM), në vitin 2020, pothuajse 281 milionë njerëz jetonin në një vend të ndryshëm nga vendi i tyre i lindjes, ose rreth 128 milionë më shumë se 30 vjet më parë. Në vitin 1990 ishin 153 milionë emigrantë dhe mbi trefishi i numrit të vlerësuar në vitin 1970 (84 milionë). Emigrimi është një vendim kompleks, i ndikuar nga faktorë të shumtë. Teoria ekonomike identifikon faktorët nxitës/tërheqës që lidhen me vendin pritës dhe ata shtytës që lidhen me vendin e origjinës. Faktorët tërheqës janë aspekte të një vendi të destinacionit që tërheqin individët të emigrojnë nga vendi i tyre. Disa nga faktorët kryesorë tërheqës për emigracionin përfshijnë: mundësi më të mira ekonomike si paga më të larta, kushtet më të mira të punës, perspektiva më të mira për punë; cilësia e jetës: standard më i lartë jetese, kujdes më i mirë shëndetësor, infrastrukturë e përmirësuar dhe qasje në arsim cilësor; stabiliteti dhe siguria politike, ku përfshihen stabiliteti politik, shkalla më e ulët e krimit, qeverisje e mirë në vend; mundësitë për arsimim: qasja në arsim cilësor të lartë dhe mundësitë më të mira për trajnime të specializuara, duke tërhequr studentë dhe profesionistë për të emigruar; bashkimi familjar; liria dhe të drejtat, faktorët kulturorë dhe socialë; rrjeti dhe komunitetet, të cilat mund të shërbejnë si një rrjet mbështetës dhe një faktor tërheqës për emigrantët e rinj. Faktorët kryesorë shtytës nga vendi origjinë janë: normat e larta të papunësisë, pagat e ulëta, mungesa e mundësive ekonomike, varfëria; paqëndrueshmëria politike dhe konflikti; sfidat mjedisore si fatkeqësitë natyrore; qasja e pamjaftueshme në kujdesin shëndetësor, arsim, ujë të pastër ose shërbime të tjera thelbësore; diskriminimi i bazuar në racë, fe, etni, gjini ose bindje politike; mundësitë e kufizuara për avancim; kufizimet në liritë personale dhe praktikat kufizuese kulturore.
Arsyeja kryesore pse njerëzit emigrojnë është për një jetë më cilësore e që literatura e ndërlidh ngushtë me lumturinë. Po sa të lumtur janë kosovarët në Kosovë dhe cilët janë faktorët kontribuues në lumturinë e njerëzve? Sipas Raportit Ndërkombëtar për Lumturinë të vitit 2023, kosovarët renditen në pozitën e 34-tw nga 137 vende të përfshira në studim, do të thotë renditen në mesin e një të tretës së popujve më të lumtur. Studimi ka gjetur se ndër faktorët më me ndikim në lumturi janë mbështetja nga të afërmit apo miqtë në rast nevoje; bujaria; liria për të marrë vendime; shëndeti fizik dhe mendor; dhe perceptimi për korrupsionin. Rëndësinë e aspekteve joekonomike në lumturi e ka evidentuar edhe një studim i Universitetit të Harvardit – studimi më i gjatë i realizuar ndonjëherë me të njëjtët persona. Në vitin 1938, studiuesit e Harvardit filluan studimin për t’i dhënë përgjigje pyetjes: Çfarë na bën të lumtur në jetë? Studiuesit mblodhën të dhëna shëndetësore nga 724 pjesëmarrës nga e gjithë bota dhe bënë pyetje të hollësishme për jetën e tyre në intervale dyvjeçare. Studimi gjeti se lumturia jonë nuk përcaktohet nga arritjet në karrierë, paratë, ushtrimet ose dietat e shëndetshme. Gjetja më e qëndrueshme që u mësua nga ky studim 85-vjeçar ishte se marrëdhëniet pozitive na mbajnë më të lumtur, më të shëndetshëm dhe na ndihmojnë të jetojmë më gjatë. Prandaj vendimit kompleks për të emigruar dhe përcaktimit për të qëndruar jashtë vendit duhet t’i shtohet edhe ky aspekt i analizës.
Emigrimi nga Kosova
Në mungesë të regjistrimit të popullsisë dhe regjistrimit të mërgatës së Kosovës, nuk ekzistojnë statistika të sakta zyrtare për madhësinë e mërgatës kosovare. Sipas regjistrimit të vitit 2011, diaspora e Kosovës vlerësohej të ishte 703,978 persona, nga të cilët 153,978 kishin lindur jashtë vendit, duke e llogaritur numrin e emigrantëve në 550,000. Më shumë se gjysma e emigrantëve të Kosovës jetonin në Gjermani dhe Zvicër (35%, përkatësisht 23%). Gjermania historikisht ka qenë destinacioni kryesor i emigrantëve nga Kosova, duke rezultuar në shtetin me numrin më të madh të diasporës së Kosovës, prandaj fokusi në këtë shkrim është për emigrimin në Gjermani. Numri i emigrantëve kosovarë është rritur që nga viti 2011. Të dhënat nga Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë (të prezantuara në një raport të Institutit GAP, 2022) në vitin 2022 vetëm në Gjermani jetonin 542,000 persona me sfond migrimi nga Kosova, nga të cilët 330,000 kishin lindur në Kosovë. Në periudhën 12-vjeçare në vitet 2010-2022, numri i personave me origjinë nga Kosova u rrit për 251,000. Sipas gjinisë, të dhënat tregojnë se 53% janë burra, ndërsa 47% janë gra. Mungesa e fuqisë punëtore në Gjermani dhe hapja e tregut të punës për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndikuan që në vitet e fundit, emigrimi drejt Gjermanisë të rritet akoma më shumë.
Prirja për emigrim nga Kosova
Në vitin 2022, shteti gjerman u përball me mungesën më të madhe të fuqisë punëtore të shënuar ndonjëherë, me 1.74 milion vende të lira të punës. Për ta plotësuar këtë mungesë të fuqisë punëtore, Gjermania në vazhdimësi ka miratuar politika, të cilat e lehtësojnë migrimin drejt saj e që i ka nxitur kosovarët të emigrojnë në Gjermani. Tendenca për të emigruar nga Kosova është evidentuar edhe me anketa të shumta të realizuara përgjatë viteve. Të dhënat nga anketa me 1,100 respondentë në vendet e Ballkanit Perëndimor në vitin 2022 nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (Regional Cooperation Council-RCC) ka gjetur se 61% e të anketuarve nga Kosova konsideronin të emigronin, në krahasim me 50% në vitin 2019/20, përqindje kjo më e lartë se mesatarja e rajonit që ishte 41% në vitin 2022 dhe 48% në vitin 2019/20. Të pyetur nëse kanë ndërmarrë veprime konkrete për emigrim, të dhënat tregojnë se 34% e kosovarëve kishin ndërmarrë veprime konkrete për të emigruar (kanë aplikuar për vizë, kanë siguruar kontratë pune, po e presin vizën, etj.), përqindje më e lartë se në vitin 2019/20 (20%). Të dhënat nga RCC tregojnë se pritja e të anketuarve për të ardhmen ekonomike në vend është një nga faktorët me ndikim në gjasat e tyre për ta konsideruar emigrimin. Kjo nënkupton se përveç që duhet punuar në krijimin e mundësive për punë dhe përmirësim të cilësisë së jetës në Kosovë, edhe narrativa e ndërtuar përgjatë viteve se Kosova nuk është vend i mirë për të jetuar dhe se me punë nuk është e mundur të krijojmë të ardhura dhe sigurojmë një jetë ekonomike dinjitoze, duhet ndërruar.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vlerësimin e popullsisë për vitin 2022 tregojnë se popullsia në moshë pune përbën rreth 67% të popullsisë, me mesataren e moshës prej 31.5 vjet, një rritje për rreth 5 vjet në krahasim me vitin 2011. Kosova është një ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë, me rreth 22% deri në moshën 15-vjeçare, krahasuar me 15.8% sa është në vendet e Bashkimit Evropian. Rinia është një pasuri e Kosovës, por për shkak të shkallës së ulët të punësimit, ka mbetur një aset i pashfrytëzuar. Të dhënat nga ASK-ja tregojnë se numri i studentëve në arsimin e lartë është në rënie vit pas viti. Ky trend negativ është shqetësues për faktin se, kur krahasohet me vendet e BE-së, në vitin 2021, në Kosovë 32% e grupmoshës 30-34 vjeç kishin përfunduar arsimin e lartë, në krahasim me 42% sa ishte mesatarja e BE-së. Kjo e dhënë tregon se të dyja duhet të bëjnë përpjekje shtesë për ta rritur pjesëmarrjen në arsimin e lartë. Në terma relativë, emigrimi i rinisë mund të rrisë këtë statistikë, por në terma absolutë numri i studentëve pritet të bie.
Gratë dhe emigrimi
Gratë ndikohen ndryshe nga emigrimi. Shpesh burrat migrojnë së pari dhe pasi t’i krijojnë kushtet e përshtatshme e marrin edhe familjen me vete. Gjatë kësaj periudhe, gratë mbeten përgjegjëse për të gjitha obligimet dhe detyrat familjare dhe të fëmijëve. Me rastin e emigrimit të grave, burrat vetëm se kanë gjetur punë, ndërsa gratë kryesisht angazhohen me punët e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët. Nuk ka studime të përditësuara për aktivitetin ekonomik dhe pjesëmarrjen e grave në arsim dhe trajnime, por të dhënat e Institutit GAP e të dhënat zyrtare për Gjermani tregojnë se numri i burrave të punësuar është konsiderueshëm më i lartë se i grave. Nga gjithsej 251,000 të punësuar në fund të vitit 2022, 63.7% ishin burra e vetëm 91,000 ishin gra të punësuara. Dallim gjinor është raportuar edhe sa u përket të ardhurave mujore të të punësuarve: rreth një e treta e grave të punësuara kishin të hyra mujore nga 500-1,000 Euro neto, krahasuar me 9% të burrave të punësuar, ndërsa vetëm 13% të grave të punësuara pranon të ardhura në mes 1,500-2,000 Euro në krahasim me 22% të burrave. Afër 30% e burrave të punësuar pranon të ardhura neto mujore prej 2,000-2,500 Euro, në krahasim me vetëm 9% të grave të punësuara.
Liberalizimi i vizitave, një mundësi për informim të saktë për mundësitë jashtë vendit
Duke filluar nga 1 janari i vitit 2024, kosovarët do të mund të udhëtojnë drejt vendeve Shengen pa viza. Ndërsa pritjet janë se një numër i konsiderueshëm do të emigrojë, kjo do të ofrojë mundësi për të udhëtuar pa shpenzime të mëdha e pa vështirësi administrative. Udhëtimi pa kufizime do të ofrojë mundësi që emigrantët potencialë të informohen saktë për mundësitë në vendet pritëse: do të informohen për pagat bruto e neto, për koston e jetesës, për kursimet të cilat mund t’i sigurojnë në fund të muajit, për qasjen në arsim e shëndetësi e për cilësinë e jetës në tërësi. Të dhënat nga studimet tregojnë se ekziston një hendek në paga në mes të migrantëve dhe vendasve. Një studim ka gjetur se në Gjermani burrat vendas paguhen për 11.3% më shumë sesa të huajt, ndërsa dallimi te gratë është edhe më i lartë (20%). Rezultatet për gjermanët me sfond emigracioni tregojnë një hendek të konsiderueshëm të pagave prej 16.5% (burra) dhe 14.8% (gratë) me vendasit gjithashtu. Shpenzimet mesatare të jetesës për person në muaj në Gjermani janë rreth 1,200 deri në 3,000 Euro, qw dallon varësisht nga lokacioni dhe distanca e vendit të punës. Duhet pasur parasysh se ndërsa në Kosovë shumica dërmuese jetojnë në shtëpitë e tyre, kjo nuk qëndron për vendet në Evropë.
Statistikat e fundit PISA për vitin 2022 konfirmojnë sërish problemet kronike, me të cilat përballet sistemi arsimor. Për disa kosovarë, qasja në arsim cilësor mund të jetë një faktor nxitës për emigrim drejt vendeve të Evropës Perëndimore. Është me rëndësi të theksohet se rezultatet e PISA 2022 raportojnë se nxënësit vendas shënuan mesatarisht 29 pikë më shumë se studentët emigrantë në matematikë në vendet e OECD-së. Të dhënat nga Gjermania po ashtu theksojnë se nga gjithsej 542,000 persona, vetëm 113 mijë persona posedojnë kualifikime profesionale, nga të cilët vetëm 22,000 kanë diploma akademike, në krahasim me 91 mijë, të cilët kanë diploma joakademike. Pjesa tjetër prej 222,000 nuk kanë kualifikime profesionale dhe 208,000 janë ende duke u trajnuar/shkolluar.
Përfitimet e mundshme nga emigrimi
Përkundër efekteve negative që lidhen me humbjen e fuqisë punëtore, kapitalit njerëzor, zvogëlimit të kërkesës në vend dhe efekteve të tjera, emigrimi me rastin e liberalizimit të vizave mund të sjellë edhe përparësi: rritja e dërgesave; duke mbështetur familjet, përmirësuar standardet e jetesës, madje edhe duke stimuluar zhvillimin e biznesit të vogël; transferimi i aftësive dhe njohurive të fituara nga emigrantët në vendin pritës; krijimit të lidhjeve dhe rrjetëzimit midis vendeve dërguese dhe pritëse duke lehtësuar tregtinë, investimet dhe shkëmbimin kulturor midis kombeve. Duke supozuar se disa emigrantë do të kthehen, me t’u kthyer, ata do të kthehen me aftësi, përvoja dhe burime të reja të fituara jashtë vendit. Ata mund të fillojnë biznese, të investojnë ose të kontribuojnë pozitivisht në Kosovë; duke sjellë perspektiva, ide dhe përvoja të ndryshme që mund të kontribuojnë në zhvillimin dhe inovacionin në Kosovë; duke krijuar biznese në Kosovë, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe inovacionin. Megjithatë, për t’i arritur këto përfitime, qeveria duhet të hartojë programe mbështetëse dhe stimuluese për kthimin e emigrantëve.
Udhëtimi pa viza ka rregulla dhe kufizime.Qeveria e Kosovës ka realizuar një fushatë informuese për kushtet për lëvizje që nga 1 janari 2024 dhe ka përgatitur udhëzime konkrete lidhur me të drejtat dhe kushtet për lëvizje. Udhëzimet kryesore janë:
- Udhëtimi pa vizë do të jetë i mundur për vizita afatshkurta turistike, kulturore, sportive, pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme si dhe vizita te të afërmit apo miqtë.
- Qëndrimi do të jetë i mundur deri në 90 ditë brenda periudhës prej 180 ditësh.
- Nëse doni të udhëtoni për qëllime të punësimit, atëherë ju duhet të aplikoni për një vizë pune, gjithnjë sipas kritereve të shtetit prej nga keni arritur të siguroni një kontratë pune.
- Në rast se dëshironi të studioni në një nga shtetet Shengen, atëherë ju duhet të pajiseni me vizë studimore që mundëson qëndrimin tuaj më të gjatë se 90 ditë. Për këtë duhet të kontaktoni ambasadën e shtetit në të cilin planifikoni të studioni.
- Në rast se ju dëshironi të vijoni trajnime, konferenca, seminare, punëtori, shkolla verore ose dimërore të shkurta, programe edukimi 1-2 mujore, kurse afatshkurta të cilat nuk kërkojnë qëndrim më të gjatë se 90 ditë, atëherë ju mund të përfitoni nga procesi i liberalizimit të vizave dhe nuk keni nevojë të pajiseni me vizë.
- Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa vizë, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës financiare, shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen si dhe ndalimi i hyrjes së zonën Shengen deri në 5 vjet.
Gjatë udhëtimit në zonën Shengen, shtetasit e Kosovës duhet të kenë me vete:
- Pasaportë biometrike e vlefshme për të paktën tre muaj përtej datës së largimit nga zona Shengen;
- Informata dhe dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit: detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimet e biletave kthyese, nëse merrni pjesë në një ngjarje, agjendën, rezervimet e hoteleve ose adresën e telefonat e të afërmve tuaj, nëse do të qëndroni tek ata;
- Dëshmi për posedimin e mjeteve të mjaftueshme financiare gjatë qëndrimit në Zonën Shengen, ku përfshihen para kesh apo kredit kartë apo pasqyra e kartës së kreditit. Çdo shtet anëtar përcakton shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të shteteve anëtare përkatëse nëpërmjet të cilave ju synoni të hyni në Shengen.
LEAVE A COMMENT