Urbs et templa Dardaniae – zbulimi i fundit nga Ulpiana / Iustiniana Secundae

Urbs et templa Dardaniae – zbulimi i fundit nga Ulpiana / Iustiniana Secundae


Në kuadër të një partneriteti në mes të Universitetit të Prishtinës, Ecole Normale Supérieur, Paris dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasadës së Francës, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës dhe Bashkimit Evropian, nën udhëheqjen e arkeologëve Arben Hajdari (UP), Christophe J. Goddard (CNRS/ENS/AOROC) dhe Milot Berisha (IAK), që nga viti 2017 po realizohen hulumtime  arkeologjike në Parkun Arkeologjik të Ulpianës. 

Fokusi kryesor i këtij projekti ndërdisiplinar është studimi i evoluimit të hapësirave publike, topografia e objekteve religjioze dhe transformimet që ka njohur qyteti i Ulpianës në Dardani gjatë antikitetit të vonë dhe mesjetës se hershme.  

Në mes viteve 2017-2021, një seri e sondazheve arkeologjike të realizuara në kompleksin e portës veriore të qytetit, ka mundësuar ofrimin e një kronologji të evoluimit të vendbanimit të parë urban, bazuar në tipokronologjinë e qeramikës, enëve të imta (ose gjysmë të imta) dhe qelqit që nga periudha e bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm (shek. XII -IX para Krishtit) deri në fund të shekullit të VI pas Krishtit. 

Strukturat me të hershme arkitektonike, të zbuluara në vitin 2021, dëshmojnë praninë romake që nga gjysma e parë e shekullit të parë. Funksioni i tyre mbetet i panjohur, për faktin se mbi rrënojat e tyre u ndërtua një tempull në fund të dinastisë së Flavëve (69-96). Për shkak të ndërtimit jo cilësor, tempulli u qe nënshtruar të paktën dy rindërtimeve të mëdha midis shekullit të III dhe fillimit të shekullit të IV, për t’u shkatërruar plotësisht nga një zjarr i madh.  Prishja e tij e plotë i hapi rrugë ndërtimit të një objekti tjetër, në fund të shekullit të IV dhe fillim të shekullit të V, karakteri dhe funksioni i të cilit mbeten të paqarta. Mbi rrënojat e kësaj strukture të panjohur, në fillim të shekullit të VI, u ndërtua një kishë, e cila u rindërtua plotësisht pas rreth 20 viteve pas tërmetit të vitit 518 (përmendur edhe nga Prokopi i Cezares i cili kishte jetuar në atë kohë). Bazilika e re u fortifikua me mure mbrojtëse, pasi tanimë muret fortifikuese të vendbanimit të parë urban (Ulpianës) ishin shkatërruar dhe qyteti ishte braktisur. Prokopi na njofton se ishte perandori Justinian ai që e rindërtoj qytetin (me një zhvendosje të lehtë), duke e riemëruar me këtë rast, Iustiniana Secunda.  

Falë mbështetjes së Bashkimit Evropian, u mundësua realizimi i një studimi gjeofizik (Automated Resistivity Profiling), i cili mundësoi identifikimin e këtij aglomeracioni të ri në vitin 2019. Hulumtimet u  fokusuar në pjesën veriperëndimore (në një sipërfaqe prej 5 hektarësh), ku u zbulua një bazilikë monumentale (78 x 24 m), pallati peshkopal ngjitur me të (43 x 38 m) dhe një kishë e tipit trikonkë (30 x 12 m). Ky aglomeracion i ri (Iustiniana Secunda) (17.7 h) ishte sa gjysma (35.5) e vendbanimit paraprak (Ulpiana). Ajo që bie në sy në pamje të parë është se ky ansambël paraqet të gjitha tiparet e një qyteti të ri të organizuar rreth dy boshteve kryesore, cardo maximus dhe decumanus maximus

Gërmimet arkeologjik të kryera gjatë viteve 2022-2023 u fokusuan në bazilikën peshkopale dhe  konfirmuan rezultatet e prospeksioneve gjoefizike. Gjetjet, veçanërisht qeramika, sugjerojnë se bazilika e ndërtuar ex nihilo, u ndërtua pas çerekut të dytë të shekullit të VI. Kurse, sa i përket organizimit planimetrik, ajo paraqet një bazilikë tre nefshe. Dyshemeja e naosit qendror është e shtruar me mozaik, me modele të bukura gjeometrike dhe disa shpendë, kurse nefet anësore me pllaka të thjeshta prej argjile. 

Mozaiku, i një cilësie të lartë artistike, është punuar me copëza (tesere) të mesme, copa qeramike të kuqe, gurë vendas të zi andezit dhe mermer i bardhë nga Kishnica. Teknika e ndërtimit, motivet, por edhe teknika e ndërtimin të bazilikës kanë ngjashmëri të madhe me ato të përdorura në Cariçin Grad. Ngjashmëritë janë aq të mëdha, saqë mund të supozohet se ndërtuesit e vendbanimit në Cariçin Grad (shpesh identifikohet me Iustiniana Prima, qytetin tjetër i ndërtuar nga Justiniani afër vendlindjes së tij), janë të njëjtit që ndërtuan qytetin e Iustiniana Secunda, apo anasjelltas.     

Materiali arkeologjik i zbuluar në vitin 2022 dhe 2023, është koherent me fazën e dytë të rindërtimit dhe fortifikimit të kishës në aglomeracionin e parë, duke dëshmuar, kësisoj, se bëhet fjalë për ndërtime të njëkohshme. 

Vendosja e mureve të kishës sipër shtresave protohistorike, dëshmon qartë se aglomeracioni i ri i njohur si Iustiniana Secunda, është ndërtuar në një zonë rurale. Sa i përket bazilikës paleokristiane, shikuar nga përmasat dhe monumentaliteti, ajo paraqet padyshim një nga arritjet më të rëndësishme arkitekturore të Justinianit, këtij ndërtuesi të madh, e krahasueshme me kishat e mëdha bashkëkohëse të Ravenës, Cariçin Gradit apo Konstandinopojës. 

Padyshim se gjetjen më të rëndësishme e paraqet zbulimi i mbishkrimit në dyshemenë e nefit qendror të bazilikës. Kushtimi, i cili zë një hapësirë prej 5 m2, paraqet një dedikim nga perandori Justinian (527-565 pas Krishtit) dhe bashkëshortja dhe bashkësundimtarja e tij Theodora (527-548), të një “urbs Dardaniae”, një qytet i ndërtuar ex novo në provincën e Dardanisë, dhe “templa”, lireralisht tempuj, por në fakt fjala është për kisha, duke konfirmuar kësisoj të dhënat e Prokopit të Cezaras, bashkëkohës i Justinianit. Ky është një nga përkushtimet e rralla latine, në mos i vetmi dedikim dhe poemë metrike në gjuhën latine, e çiftit të famshëm perandorak në botën e vonë romake dhe, si i tillë, paraqet një zbulim të jashtëzakonshëm dhe tejet të rëndësishëm për nga pesha dhe rëndësia historike, jo vetëm për Dardaninë, por për tërë botën e vonë antike. Teksti konfirmon lidhjen e njohur të perandorit me provincën e tij të origjinës, të cilën ai e dëshmoi, para se gjithash, me ndërtimin ex novo të dy qyteteve të cilave u dha edhe emrin, Iustiniana Prima dhe Iustiniana Secunda. Në tekst na është paraqitur edhe emri i një peshkopi të ri, i panjohur deri me tani në literaturën historike, i cili ishte përgjegjës për shenjtërimin/dedikimin e kishave Jezu Krishtit në Iustiniana Secunda.  

Përveç hulumtimeve ndërdisiplinore në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës/Justiniana Secundes, Universiteti i Prishtinës së bashku me partnerët nga Franca dhe Bashkimin Evropian, ka ngritur një program trajnimi në Ulpianë për studentë dhe stafin si dhe një program që u mundëson studentëve të Universitetit të Prishtinës për të ndjekur studimet e tyre në nivel MA dhe PhD, në Ecole Normale Supérieure dhe Ecole Pratique des Hautes Etudes (PSL Université), Paris. 

Falë mbështetjes së Bashkimit Europian, Universiteti i Prishtinës dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës ka krijuar gjithashtu një qendër kërkimore me pajisje moderne që do të mundësojë realizimin e kërkimeve në arkeologji dhe gjeofizikë në të ardhmen. 

LEAVE A COMMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *