Fjalimi i rektorit Arben Hajrullahu në Bundestagun Gjerman
I nderuari z. Kai Gehring, drejtues i Komitetit për Arsim, Kërkime Shkencore dhe Teknologji në Bundestagun Gjerman,
Të nderuar anëtarë të këtij komiteti dhe ju të pranishëm,
ju falënderoj shumë për kohën që po kaloni me ne — përfaqësuesit e universiteteve dhe akademive të shkencave nga rajoni, në kuadër të këtij takimi në kornizat e Procesit të Berlinit dhe i jam shumë mirënjohës Gjermanisë për krejt atë çfarë ka bërë për këtë pjesë të Evropës, të pagëzuar nga Bashkimi Evropian në vitin 1999 si Ballkan Perëndimor.
Më 12 maj 2000, po këtu në Berlin, në Universitetin Humboldt, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Joseph Fischer, kishte mbajtur një ligjëratë të titulluar Vom Staatenverbund zur Föderation – Gedanken über die Finalität der europäischen Integration (Nga unioni i shteteve në federatë — mendime për përfundimin e integrimit evropian). Kështu, para një çerekshekulli, veçse kishte kumtesa publike mbi idenë e përfundimit, finalitetit, të integrimit evropian, gjë e cila sot nuk mund të haset askund më, as në Bashkimin Evropian as në vendet e Ballkanit Perëndimor. Tani, një çerekshekull më vonë, pyetja, sipas mendimit tim, shumë legjitime, është se kah po shkojmë ne të gjithë së bashku, quo vadis?
Më lejoni, të nderuar pjesëmarrës, i nderuari udhëheqës, deputet i Bundestagut Gjerman, z. Kai Gehring, drejtues i Komitetit për Arsim, Kërkime Shkencore dhe Teknologji, që t’ju rikujtoj disa etapa, disa pika kyçe të zhvillimeve, në proces të integrimit drejt BE-së të këtij rajoni të kontinentit evropian, i njohur si Ballkan Perëndimor.
Kur përfundoi lufta në Kosovë, në vitin 1999, ishte ndërmarrë iniciativa e themelimit të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Pak a shumë shpresat ishin që do të niste një iniciativë analoge me Planin Marshall, i cili kishte rindërtuar Evropën e shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore.
Por në vitin 2003, në Samitin e Selanikut, vendeve të rajonit iu premtua perspektivë evropiane. Pra jo anëtarësim në Bashkimin Evropian, po vetëm një perspektivë evropiane. Ishte premtim për një perspektivë, jo domosdoshmërisht rrugë dhe mundësi që një ditë këto vende të bëhen edhe në realitet shtete anëtare të Bashkimit Evropian.
Diku më shumë se dhjetë vjet më vonë, duke parë ngecjet që kishin ndodhur në tejkalimin e konflikteve dhe shkaktarëve të tyre e me këtë edhe të integrimit në Bashkimin Evropian, nën udhëheqjen, lidershipin, e kancelares gjermane, Angela Merkel, në 2014, iniciohet Procesi i Berlinit, që na ka mbledhur edhe ne sot këtu.
E veçantë e këtij procesi, i cili mëton t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos ngelin vetëm pjesë gjeografike e Evropës, por të bëhen edhe pjesë politike, ekonomike e kulturore e Bashkimit Evropian, është qasja e trajtimit të barabartë të të gjithëve. Kjo qasje merr fuqi sidomos kur kemi parasysh vënien në pyetje të shtetit sovran dhe të pavarur të Republikës së Kosovës nga fqinji verior, Republika e Serbisë.
Por, pyetja thelbësore, të paktën për mua, këtu është se cili është roli i akademive të shkencave dhe arteve dhe roli i universiteteve në shekullin XXI, një çerekshekull pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe premtimit për një të ardhme, perspektivë, evropiane për Kosovën dhe të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor? Cili është roli i akademive të arteve dhe universiteteve në erën, epokën, e pas-digjitalizimit, meqenëse periudha e digjitalizimit veçse tanimë i takon së kaluarës?
Ne jemi dëshmitarë të epokës së inteligjencës artificiale, që po e ndryshon përgjithmonë edhe kërkimin shkencor. Ideja e Aleksandër von Humboltit se cili është funksioni dhe misioni i universiteteve, për mendimin tim, vazhdon të jetë edhe sot valide. Me këtë bindje, para pak muajsh, kur u intervistova për t’u zgjedhur në pozitën e rektorit të Universitetit të Prishtinës, në prezantimin tim paraqita trekëndëshin bazuar në idetë e Aleksandër von Humboltit — lidhjen e studimeve me kërkimin shkencor dhe dobinë që e ofrojnë universitetet për shoqërinë.
Motoja e konferencës së tetë, kësaj konference për shkencë në kuadër të Procesit të Berlinit, është „Guxim për të ardhmen”. Unë besoj fort dhe ftoj që kjo moto të shërbejë edhe si moto për veprimet e së ardhmes, që të mos dorëzohemi, të mos e humbim guximin për të ardhmen.
Besoj shumë dhe jam i bindur që universitetet prej nga vijmë ne, po edhe akademitë e shkencave dhe arteve, në përgjithësi njerëzit e shkencës dhe kulturës, kanë një rol të veçantë për formësimin e shoqërive, po edhe të shteteve dhe me këtë edhe të këtij rajoni gjeografik të quajtur Ballkan Perëndimor, e që është Ante Portas, në derë të anëtarësimit një ditë në Bashkimin Evropian.
Për ta arritur këtë është e nevojshme të kemi ngazëllim, ngazëllimin për shkencën si dhe ndërkombëtarizimin e saj.
Për më shumë, kërkimet, shkenca, universitetet, akademitë e shkencave dhe të arteve kanë edhe një rol të veçantë — atë edhe për të kontribuuar për shoqëri më demokratike dhe më humane.
Ne na nevojiten akademi të shkencave dhe arteve, po edhe universitete e institute kërkimore, të cilat janë të kohës në të cilën jetojmë, pra që janë institucione të shekullit XXI.
Dhe për fund, të nderuar pjesëmarrës, i nderuar z. Gehring, më lejoni që këtë fjalim këtu në Bundestagun Gjerman ta përmbyll me një konstatim: sa më e mbështetur dhe që gëzon liri veprimtaria shkencore e kërkimore, aq më të zhvilluara janë shoqëritë dhe shtetet. Kështu, në këtë frymë, besoj që investimet në shkencë dhe në kërkime janë investimet më të mira për të ardhmen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve tona e dhe atyre përtej.
Faleminderit shumë!
LEAVE A COMMENT