Fjalimi i rektorit Arben Hajrullahu në Panairin e 7-të të Universiteteve Franceze
Chers représentants des universités françaises,
Chers collègues,
Chers étudiants,
Të nderuar përfaqësues të universiteteve franceze,
Të dashur kolegë,
Të dashur studentë,
njëri nga ju — profesori Christophe Goddard nga Universiteti „Ecole Normale Supérieure” ishte në muajin gusht në Ulpianën Antike bashkë me profesorin tonë në Universitetin e Prishtinës, Arben Hajdari, dhe ekipet e tyre, për të gjetur fragmente të një mozaiku dhe për të zgjeruar gërmimet brenda bazilikës së Justinianit, ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim që e lidhte këtë perandor të madh me Ulpianën, qytetin e lashtë të Dardanisë, e cila kishte në qendër të territorit të vet republikën e sotshme të Kosovës.
Profesorin Goddard e pashë pastaj edhe në fillim të tetorit, kur e inauguruam Institutin e Antropologjisë në hapësirat e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Një tjetër projekt i përbashkët mes universitetit tonë dhe institucioneve arsimore franceze lidhet me mësimdhënien digjitale dhe përmirësimin e teknikave të mësimit me anë të teknologjisë. Në të janë përfshirë Qendra CEMU e Universitetit të Caen-it, Qendra Frankofone dhe Universiteti i Prishtinës me profesoreshën Valbona Berisha.
Prandaj, sot, në këtë takim promovues, na bashkon një qëllim i përbashkët: të thellojmë tutje bashkëpunimin mes Kosovës dhe Francës, edhe në fushën e arsimit të lartë. Të thellojmë bashkëpunimin, sepse bashkëpunimi dhe njohja mes dy kulturave ka nisur shumë më herët.
Të nderuar të pranishëm,
më lejoni të tregoj se Universiteti i Prishtinës ka një histori të pasur dhe një rol unik në Kosovë, si institucioni i vetëm, i cili që nga themelimi i tij ka pasur një Departament të Frëngjishtes, duke promovuar kështu gjuhën dhe kulturën franceze ndër breza të tërë studentësh.
Në vitin 2018, ne kemi pasur nderin të jemi anëtarë të Agjencisë Universitare të Frankofonisë (AUF), një rrjeti global që promovon gjuhën dhe kulturën frënge përmes arsimit dhe kërkimit. Ky anëtarësim na ka dhënë mundësinë për të forcuar lidhjet tona me universitete dhe institucione të tjera frankofone në mbarë botën.
Për më tepër, kemi themeluar Qendrën Frankofone, e cila është bërë një pikë qendrore për organizimin e aktiviteteve të shumta për stafin akademik dhe studentët tanë. Kjo qendër, me aktivitetet e saj të shumta, shërben si një urë e rëndësishme mes universitetit tonë dhe komunitetit frankofon në Kosovë.
Universiteti i Prishtinës ka krijuar partneritete të ngushta me disa prej universiteteve më të njohura franceze.
Kemi partneritete me Universitetin Caen, Universitetin e Parisit dhe Universitetin e Nicës, një shtrirje bashkëpunimi nga veriu në jug të Francës.
Këto lidhje, jo vetëm që e forcojnë pozicionin tonë si një universitet që përkrah ndërkombëtarizimin dhe diversitetin, por gjithashtu u ofrojnë studentëve tanë mundësi të shkëlqyera për të ndjekur studime dhe projekte kërkimore në disa prej institucioneve më të mira të Francës.
Ne jemi të përkushtuar për të vazhduar dhe zgjeruar këtë rrjet bashkëpunimesh në të ardhmen, duke krijuar më shumë mundësi për studentët dhe stafin tonë që të përfitojnë nga njohuritë dhe përvojat e sistemit të arsimit të lartë në Francë.
Ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj sot dhe për mbështetjen e vazhdueshme në përparimin e arsimit dhe kulturës frankofone në Kosovë.
Presim me padurim që të vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku, me projekte të reja dhe iniciativa që do të pasurojnë botën akademike të të dy vendeve tona.
Ju faleminderit / Merci!
LEAVE A COMMENT