Fjalimi i rektorit Hajrullahu gjatë përurimit të Institutit të Antropologjisë 

Fjalimi i rektorit Hajrullahu gjatë përurimit të Institutit të Antropologjisë 

Shkëlqesia juaj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeffrey M. Hovenier, 

I nderuari prof. dr. Michael Galaty nga Universiteti i Miçiganit të ShBA-së, 

I nderuari prof. dr. Christophe Goddard nga Ecole Normale Superiure e Francës

Më vjen mirë që jeni këtu me ne,

I nderuari dekan i Fakultetit të Filozofisë, prof. dr. Bekim Baliqi, 

I nderuari drejtor i Institutit të Antropologjisë, prof. dr. Arsim Canolli,

Sot është dita juaj dhe e jona! Urime! 

Të nderuar kolegë e kolege, zonja e zotërinj dhe ju të pranishëm!

Jemi mbledhur këtu sot që të inaugurojmë Institutin e Antropologjisë, në fakultetin e parë dhe më të vjetër të institucionit madhor të Kosovës — Universitetit të Prishtinës.

Në epokën e inteligjencës artificiale, antropologjia — studimi shkencor i së tanishmes dhe së kaluarës njerëzore, mbase në moment të parë edhe mund të shpërfaqet si disiplinë anakronike.

Përtej valëve të zhvillimeve teknologjike që nga revolucioni industrial i gjysmës së dytë të shekullit XVIII, e deri te koha jonë në shekullin XXI, studimi dhe kuptimi i ndikimit të zhvillimit biologjik dhe gjuhëve në jetën shoqërore, modeleve të sjelljeve e kulturave njerëzore vazhdon të jetë i patejkalueshëm për jetën dhe të ardhmen e llojit tonë njerëzor.

Në këtë frymë, ndihem shumë i lumtur të shoh kolegët që, me punë të vyer e të palodhshme, kanë arritur që në muajt e parë të themelimit të Institutit të Antropologjisë të dëshmojnë rezultatet e para. 

Në raste të tilla, kur nis diçka e re, nuk duhet harruar të kaluarën, fillimet, ata që ia nisën të parët. Pashmangshëm na kujtohen antropologët e mëdhenj të Kosovës: akademik Mark Krasniqi dhe doktorët Ukë Xhemaj e Drita Halimi-Statovci. Ata lanë gjurmë dhe janë frymëzim. 

Instituti i Antropologjisë ka rrënjë dhe themele të forta, prandaj lehtë i hapen dyert e bashkëpunimeve brenda dhe jashtë vendit. Lidhja e marrëveshjeve të mirëkuptimit e bashkëpunimit me muzeun dhe Institutin Arkeologjik të Kosovës, e sidomos me Universitetin e Miçiganit në ShBA, janë ogur i mirë për institutin e sapothemeluar dhe të ardhmen e tij.

Ky fillim i mbarë mbase do të kishte qenë shumë më i vështirë të arrihej pa mbështetjen e partnerëve dhe miqve nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila vitin e kaluar ka ofruar një mbështetje financiare në vlerën e mbi 16 mijë eurove nëpërmjet „University Support Grant”, për të lehtësuar themelimin e institutit që po e inaugurojmë ne sot së bashku.  

Thank you very much Your Excellency Ambassador Hovenier to you personally and to your great country, the U.S.A., for your continuous support for the educational sector and the Republic of Kosova in general (Faleminderit shumë shkëlqesia juaj, ambasadori Hovenier, juve personalisht dhe shtetit tuaj të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sektorit të arsimit dhe Republikës së Kosovës në përgjithësi).

Me këtë rast dua të përgëzoj po ashtu kolegët e mi që janë falënderues për ndihmën e pranuar, duke ndarë një mirënjohje për Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Hovenier.

Shumë të nderuar e respektuar të pranishëm, 

më lejoni që këtë fjalim rasti, përshëndetje, ta përmbyll me një rikujtim për përgjegjësitë dhe detyrat që kemi secili e secila pa përjashtim, pavarësisht nga rolet dhe funksionet që ushtrojmë në kohë e institucione të ndryshme, vendore apo ndërkombëtare.  

Presidenti Historik, Dr. Rugova, i cili pëlqente dhe promovonte trashëgiminë e Kosovës së sotshme nga Dardania Antike, në kohë shumë të vështira për vendin dhe njerëzit e kësaj toke, me urtësi mbresëlënëse, na rikujtonte se “Shtëpia pa miq nuk mbahet”!

E kur shoh që Instituti i Antropologjisë ka kaq shumë miq, besoj fort e uroj shumë që do të arrijë të mbahet dhe të kontribuojë për vendin dhe njerëzit e kësaj toke, pa dallim gjuhe, besimi, etnie apo çfarëdo dallimi tjetër, duke mëtuar që vendi ynë e të tjerët përtej të zhvillohen edhe më shumë drejt një të ardhmeje më të ndritur e paqësore.

Faleminderit shumë e na priftë e mbara!

LEAVE A COMMENT

Your email address will not be published. Required fields are marked *