Fjala e rektorit në rastin e 50-vjetorit të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare
I nderuar kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, z. Mehmet Kraja!
I nderuar ministër i kulturës, z. Hajrulla Çeku!
E nderuar Dekane e Fakultetit Filologjik të UP, prof. Lindita Sejdiu-Rugova dhe i nderuar dekan i zgjedhur, prof. AbdullaRexhepi!
I nderuar Drejtor i Seminarit të Prishtinës, prof. Bardh Rugova!
I nderuar Bashkëdrejtor i Tiranës, prof. Shezai Rrokaj!
Të nderuar profesorë, akademikë, miq e mysafirë!
Të dashur seminaristë! Zonja dhe Zotërinj!
Lejomëni ta nis fjalën time duke ju uruar mirëseardhjen në edicionin e 42-të të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare. Ky edicion është fort i veçantë, sepse shënon decenien e pestë të themelimit të Seminarit, një organizim i pashoq në fushën e Albanologjisë, burim krenarie e frymëzimi për çdo albanolog, studiues e akademik.
Për mua është privilegj i veçantë që kam mundësinë t’ju drejtohem sot në këtë festë të një institucioni ikonë tëUniversitetit të Prishtinës. Në edicionin pararendës, profesori Rexhep Ismajli, më dhuroi një kopje të Programit të seminarit tëparë, të mbajtur në gusht 1974. Me këtë rast do të doja të lexoja paragrafin e parë, që lidhet me qëllimin dhe përmbajtjen: “Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj, themeluar sivjet, ka marrë për obligim të organizojë për çdo vit një seminar ndërkombëtar, programi i të cilit përbëhet nga dy pjesëthemelore: kurset e gjuhës shqipe dhe ligjëratat mbi probleme tëndryshme të gjuhës, të kulturës, të historisë dhe të letërsisëshqiptare. Sivjet organizohet Seminari i parë.”
Seminari i Prishtinës sot 50 vite pas themelimit, mund të themi me kënaqësi që i ngjan përfytyrimit më të bukur dhe ëndrrës së etërve të tij themelues, mes të cilëve Idriz Ajeti dhe Rexhep Ismajli etj., një medium i përvitshëm zhvillimesh, risish, debati shkencor në fushë të gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës sonë tëpasur e të dashur. Një organizim universitar që bën bashkë prurjet shkencore dhe mësimin për gjuhën shqipe, duke na krenuar secilën herë për numrin e të rinjve dhe të rejave, që për dy javë zgjedhin të mësojnë gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Në të vërtetë, jeta e gjithë qytetit, në një farë mënyre, gjatë këtyre dy javëve gjallërohet nga ky tubim studentësh e studiuesish të shqipes. Dhe kështu ka ndodhur prej shumë vitesh. Është tradita ajo që na i përforcon tiparet tona, i jep trajtë identitetit tonë dhe na bën ta kemi më të qartë vizionin për të ardhmen që na pret si botë akademike shqiptare, si institucione të arsimit, por edhe si Seminar Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare.
Cilët duam të jemi 50 vite më tutje? Çfarë fytyre duam t’i japim mendimit tonë shkencor? Dhe si mund ta bëjmë të përbotshëm mendimin tonë albanologjik? Këto janë pyetje e çështje jo veç të së ardhmes, por jam i sigurt edhe pyetjet që në një farë mënyre e kanë shqetësuar çdo bashkëdrejtori të Seminarit të Prishtinës, por edhe çdo pjesëmarrës aktiv përgjatë këtyre viteve.
Me kënaqësi, vërej se kujdesi ynë si Universiteti më i madh e më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës ndaj organizimeve të tilla — e në mënyrë të posaçme ndaj Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare — ka qenë kujdes i pashoq dhe për këtë dua ta falënderoj Dekanen e Fakultetit Filologjik, prof. Lindita Sejdiu-Rugovën, për mikpritjen me zemër të madhe e mendje të hapur të pjesëmarrësve, këto tetëvite të shërbimit të saj në këtë pozitë. Po sigurisht falënderimet i takojnë dhe çdo profesori tjetër të Filologjikut e më gjerë, të angazhuar me mbarëvajtjen e punimeve të Seminarit, si dhe në mënyrë të veçantë Drejtorisë së Seminarit në Prishtinë: Profesorit Bardh Rugova dhe kolegëve të tij dhe Drejtorisë sëSeminarit në Tiranë: Profesorit Shezai Rrokaj dhe kolegëve tëtij. Në vijim, organizatorët e kësaj ceremonie do të kujdesen që t’i falënderojnë, më meritorët ndër ata që kanë spikatur me angazhimin e tyre dhe mirënjohjes së tyre iu bashkohet edhe mirënjohja e konsiderata ime dhe e institucionit që aktualisht përfaqësoj, ashtu siç edhe besoj, e të gjithëve ju që jeni pjesëmarrës në këtë sallë.
Të nderuar të pranishëm! Arritjet e shkuara dhe të ardhme të këtij forumi shkencor të pashoq të Albanologjisë, i takojnë edhe bashkëpunimit ndërinstitucional që na shfaqet dyplanësh. Nga njëra anë, kemi bashkëpunimin e vazhdueshëm e të suksesshëm me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Kulturës, që edhe e mbështesin materialisht një pjesë të organizimit, bashkë me institucione të tjera të pushtetit lokal, dhe nga ana tjetër, kemi bashkëpunimin me Universitetin e Tiranës, e në mënyrë të posaçme me Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë atje.
Pa dyshim, bashkëpunimet mund dhe duhet të përforcohen dhe i kanë gjithnjë momentumet e caktuara, por neve në Kosovë e në Shqipëri na duhet një frymë e përbashkët zhvillimi dhe vizioni për shkencën, në përgjithësi e sidomos për albanologjinë. Ndaj, për pesë dekadat e ardhshme e më tutje ky bashkëpunim duhet forcuar, siç na e dikton historia e bukur e këtij Seminari, ëndrrat dhe vizioni i themeluesve, i organizatorëve dhe i pjesëmarrësve të tij, që prej vitit 1974.
Duke përgëzuar organizatorët e këtij edicioni të seminarit, duke falënderuar referuesit e shquar shqiptarë e të huaj dhe duke iu uruar suksese seminaristëve, po e mbyll fjalën time me porosinë e Eqrem Çabej-t për studimin e gjuhës shqipe: “Kush do të shkruajë mbi shqipen, më parë duhet të jetë marrë me studimin e gjuhëvet indoeuropiane përgjithërisht, e pastaj duhet të ketë studiuar gjithë shkrimtarët shqiptarë e gjithë abanologët e huaj, numëri i të cilëvet është aq i math sa studimi i tyre lyp viet me radhë pune të pareshtur. Se filologjia nuk është zbavitje, është larg nga dilettantismi. Është dituri, dhe që të kapesh me dituri, duhet të dish!” (Çabej, Graz, 8.2.1929).
Faleminderit!
LEAVE A COMMENT