Fjalimi i rektorit Arben Hajrullahu në 55-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës

Fjalimi i rektorit Arben Hajrullahu në 55-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës

Është një nder dhe privilegj i veçantë për mua që sot të jem para jush në këtë ngjarje historike jo vetëm për të festuar 55-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, por edhe për të nderuar trashëgiminë e atyre që kanë formësuar historinë e vendit dhe kombit tonë.

Për popullin e Kosovës, pesëdhjetë e shtatë vite më parë, themelimi i një universiteti ishte vetëm një ide, një ëndërr –– një vizion i guximshëm i atyre që besonin se vetëm përmes arsimit, kombi ynë do të kishte një të ardhme më të ndritur dhe do t’u bënte ballë sfidave të  shumta. Është pikërisht vendosmëria dhe përkushtimi i atyre që në demonstratat e vitit 1968 sfiduan dhunën dhe persekutimin, dhe të tjerëve që ndër dekada luftuan shtypjen, pabarazitë dhe sakrifikuan çdo gjë që kjo ëndërr arriti të bëhej realitet.

Sot, Universiteti i Prishtinës qëndron si një simbol dhe trashëgimi e atij rrugëtimi të guximshëm, një qendër e dijes dhe inovacionit që vazhdon të udhëheqë e të frymëzojë brezat e rinj për të kontribuar në avancimin e shoqërisë sonë.

Vitet e apartheidit gjatë viteve të ’90, që rezultuan në gjenocid, janë ende të freskëta në kujtesën e universitetit, por falë përkushtimit dhe përpjekjeve të palodhshme të popullit të Kosovës dhe ndihmës së pakursyer të miqvetanë, universiteti u ringrit dhe vazhdoi rrugëtimin drejt së ardhmes. Çdo sfidë që hasëm ishte një shtytje drejt një qëndrueshmërie më të madhe individuale e kolektive.

Universiteti i Prishtinës ishte motori i lirisë, pavarësisë, demokracisë e shtetësisë së Kosovës si dhe i ngritjes akademike, jo vetëm për njerëzit e Kosovës së sotme, Dardanisë së dikurshme, por edhe për të gjithë shqiptarët e ish-Jugosllavisë e përtej.

Ne vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur në misionin tonë: të edukojmë, të frymëzojmë dhe të fuqizojmë.

Me krenari numërojmë në mesin e ish-studentëve tanë presidentë e presidente, kryeministra, liderë të tjerë të shtetit e njerëz të dijes e të veprave të mëdha të cilët vazhduan të përçojnë vlerat dhe idealet e kultivuara në këtë institucion.  Ish-studentët tanë janë shembulli më i mirë i fuqisë që Universiteti i Prishtinës ka në ndërtimin e të ardhmes për këtë komb.

Numri i ish-studentëve të UP-së që arritën të bëhen dijetarë e profesionistë të dëshmuar në nivel global nuk është i paktë. Ata janë dëshmi e punës së shkëlqyer që ky universitet ka bërë ndër vite dhe pasqyra më e mirë e vlerave akademike e shoqërore të universitetit. Ata jo vetëm që janë reflektimi më i mirë i vlerave tona, por në vazhdimësi tregojnë gatishmëri për të ndihmuar dhe kontribuojnë që të avancojnë dijen dhe të mbështesin misionin e universitetit.

Të nderuar zonja e zotërinj,

Miq të Universitetit të Prishtinës,

duke mos e harruar të kaluarën e lavdishme e plot sfida, Universiteti i Prishtinës është duke ecur përpara me përkushtim për të përmbushur nevojat e shekullit 21 në arsimin e lartë, sidomos në epokën e post-digjitalizimit e atë të inteligjencës artificiale, që po ndryshon gjithçka shpejt e fuqishëm.

Universiteti i Prishtinës prin në integrim të teknologjisë, në inovacion e metodologji bashkëkohore të mësimdhënies në rajon e më gjerë. Si rezultat, kemi arritur të transformojmë mënyrën si e realizojmë misionin tonë. Tani, procesi i regjistrimit të pjesëmarrjes në mësime përmes QR kodeve mundëson transparencë në kohë reale. Në anën tjetër, vlerësimi i vazhdueshëm i studentëve jo vetëm që e bën mësimin më efikas por gjithashtu u ofron studentëve aftësi dhe njohuri kyçe për tregun e punës.

Teksa e nderojmë rrugëtimin tonë 55-vjeçar, jemi plotësisht të vetëdijshëm për sfidat e së tashmes. Përderisa inteligjenca artificiale po bën ndryshime rrënjësore në procese të ndryshme në arsimin e lartë dhe tregun e punës, nevojat e shoqërisë po evoluojnë me shpejtësi. E ne në Universitetin e Prishtinës e përtej na mbetet vetëm të mundësojmë e forcojmë edhe më fort misionin e universiteteve, atë të të menduarit dhe të analizuarit bazuar në racionalitetin e postulatit shkencor.

Puna shkencore dhe inovative e Universiteti të Prishtinës më së miri mund të ilustrohet përmes historive të suksesit. I tillë është rasti i projektit të dy studentëve tanë, të cilët dizajnuan një pajisje të quajtur „PulseInsight”, e cila parashikon dhe parandalon sëmundjet e sistemit kardiovaskular dhe atij respirator, përmes analizës së frymëmarrjes dhe rrahjeve të zemrës. Ky projekt ka hyrë në mesin e 40 ideve më inovative të botës, edhe pse ishte në konkurrencë me hiç më pak se 110 mijë ide të tjera. Gjithashtu, një profesor dhe një student i UP-së, kohëve të fundit, ndërtuan prototipin e një ventilatori mekanik që shërben për të pompuar oksigjen dhe nxjerrë dioksidin e karbonit nga mushkëritë e njerëzve që kanë frymëmarrje të vështirësuar ose u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike.

Në këtë ditë të shënuar, në këtë përvjetor, kemi shumë arsye të nderojmë profesorët dhe studentët tanë të dalluar, në përpjekje për ta mbajtur trurin, me dëshirën që t’i kthejmë edhe ata që e kanë lëshuar vendin, nëse jo përgjithmonë, të paktën kohë pas kohe, në atë që njihet si „qarkullim i trurit / brain circulation”.

Të nderuar zonja e zotërinj,

Miq të Universitetit të Prishtinës,

Universiteti i Prishtinës është ndërtuar mbi përkushtimin dhe bashkëpunimin e të gjithë atyre që besojnë në fuqinë e dijes. Çdo student, ish-student, profesor dhe partner është një hallkë e domosdoshme në këtë zinxhir të suksesit. Le të punojmë së bashku që Universiteti i Prishtinës të mos jetë thjesht një institucion që i reziston kohës, por një motor zhvillimi që formëson të ardhmen. Le të tregojmë me vepra se arsimi nuk është thjesht përcjellje e dijes, por frymëzim i ndryshimeve shoqërore për një të ardhme më të mirë.

Në emër të Universitetit të Prishtinës, kam kënaqësinë të falënderoj që të gjithë, pa përjashtim, për mbështetjen që i ofroni UP-së.

Me vizion dhe përkushtim, së bashku mund ta ruajmë dhe ta fuqizojmë Universitetin e Prishtinës si një djep të dijes, shpresës dhe inovacionit.

Jetoftë përgjithmonë Universiteti i Prishtinës e gëzuar ky 55-vjetor i tij!

Faleminderit.

Speech by the Rector Arben Hajrullahu on the 55th Anniversary of the Establishment of the University of Prishtina (Download)

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *